Ai është ndër personazhet më të njohur dhe më të dashur për publikun, i cili është rikthyer pas 7 vitesh si kantautor. Behët fjalë pikërisht për Pirro Çakon, i cili është rikthyer me një baladë, bashkëpunim më këngëtaren Xhensila Myrtezaj.
“Sekreti im” është titulluar kënga, e cila edhe pse ka vetëm pak kohë që është publikuar ka marrë miliona klikime dhe është kthyer në hit. Çako ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku tregoi detaje rreth këngës për të cilën tha se është frymëzuar nga episode të jetës së tij.
“Të them të drejtën nuk desha të rikthehem si kantautor. Kisha një ngërç me veten time. Por ky brezi i ri ta bën jetën më të thjeshtë. Erdhi Xhensila dhe më tha: “Do kisha dëshirë që të bashkëpunonim”. I thash: “Po çdo ti të bashkëpunosh me mua!”. Unë do përpiqem të të bëj këngë të bukura i thashë… Por ajo më tha, që donte një duet me mua, ishte shumë e qartë. Të them të drejtën u ndjeva shumë mirë dhe e falenderoj që ma dha këtë energji pozitive dhe që nga ai moment dhashë maksimumin. Unë e kam pasur si variant këngën, por e kisha menduar për veten time dhe nuk do dilte asnjëherë. Por u bë sebep Xhensila që më shtyu dhe e çoi më tej atë që unë kisha në kokë. Ne bashkë kemi bërë një cover të këngës “Për një çast më ndali zemra” dhe kemi pasur një eksperiencë. Janë episode të jetës që më kanë frymëzuar për të krijuar këngën, nuk është një gjë fikse. Çdo njeri ka një sekret dhe unë thash pse jo të jap një mesazh”,
tha Çako.
/tvklan.al