Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Qeveria ka bërë gati disa plane rezervë për privatizimin e Bankës së Kursimeve, vetëm dy muaj përpara hapjes së tenderit ndërkombëtar për shitjen e saj. Njëri nga skenarëve rezervë parashikon ndryshim të formulës së privatizimit dhe rritje deri 40% të aksioneve ndaj institucioneve ndërkombëtare financiare.

Skenarë të tjerë konsistojnë në dhënien e Bankës së Kursimeve me kontratë menaxhimi private, deri në privatizim, ose rajonalizim të bankës, që do të thotë ndarje dhe decentralizim të saj. Variantet e shpëtimit pas një dështimi tjetër të mundshëm të privatizimit të bankës, janë diskutuar në mbledhjen e grupit të privatizimit të Bankës së Kursimeve, ku të pranishëm ishin përfaqësuesit rezidentë të Bankës Botërore dhe FMN-së. I pranishëm ishte dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë Shkëlqim Cani.

Për bankën më të madhe në vend kanë shfaqur interes dy banka, austriakja Raiffeisen Bank dhe amerikania Citigroup. Që të dyja kanë kërkuar të blejnë 100% të aksioneve pa tender, por një propozim i tillë është hedhur poshtë, për shkak se ligji i privatizimit nuk parashikon një gjë të tillë.

Privatizimi i bankës më të madhe në vend dështoi dy herë. Vitin e kaluar Banka e Kursimeve nuk u privatizua, si pasojë e tregut të papërshtatshëm ndërkombëtar, që duket se do të ndikojë sërish për të penguar privatizimin në Shtator./tvklan.al