” Pro Business” një emision nga Oljana Maloku në Klan Plus.
Emisioni “Pro Business” në Tv Klan Plus ka patur në fokus zanafillën e krijimit të qindra mobilierive përgjatë Rruges Nacionale Tiranë-Fushë Krujë. E njohur tashmë si zona ku prodhohen masivisht mobilie të ndryshme, vjen për herë të parë historia e themelimit të fabrikës së parë në Nikël nga i ndjeri Abaz Ulliri, nga përpjekjet e vazhdueshme për zhvillimin e kësaj industrie e deri tek historitë e suksesit nga kompanitë që sot kanë depërtuar në tregjet evropiane duke përdorur teknologjinë moderne.
Guxoi në biznes në një kohë kur jo të gjithë hidhnin një hap të tillë. Abaz Ulliri arriti të mbledhë me qindra punonjës në punishten e parë të prodhimit dhe përpunimit të drurit në Nikël. E teksa këtë dhjetor mbush 29 vite që është ndarë nga jeta, ai ka lënë pas një pasuri në drejtim të zhvillimit të zonës duke shërbyër si shkollë për të gjithë ata që morën zanatin dhe sot po ushtrojnë biznes me mobilieritë e tyre duke depërtuar në vende Evropiane.
Z. Besnik Ulliri, vëllai i Abaz Ullirit na rikthen historinë e para shumë viteve.
“ Faktikisht Abaz Ulliri është themeluesi i prodhimit të drurit në Shqipëri në fundvitin ’89 ka filluar aktivitetin e tij të kundraligjshëm pasi ishte regjimi i Enver Hoxhës, pastaj me ardhjen e demokracisë ka filluar aktivitetin vetjak. Pastaj jemi punësuar edhe ne si vëllezër duke arritur në vitin ’94-’95 kemi patur 600 punëtorë. Këtu janë ish-banorët e Niklës dhe zonës përreth të cilët janë punësuar tek ne, kanë zhvilluar aktivitetin tek ne, pastaj kanë hapur aktivitetin e vet. “- shprehet ai.
E nisi këtë biznes pa ditur sa larg po shkonte në pasurinë që la për zonën. Ideja për tu marrë me prodhimin dhe përpunimin e drurit, nisi lidhur nga nevojat që kishte familja.
“I ndjeri Abaz më 13 Dhjetor mbush 29 vite që është ndarë nga jeta. Vëllai si profesion ka qenë inxhinier elektrik. Ai duke parë nevojat që kishte familja ai në vitin ’89 krijoi vetë nja plan plus sharrë disk e ka krijuar vetë, në atë kohë kontrabandë(për shkak të regjimit). Pastaj me shkatërrimi e regimit/sistemit blemë diku në Laç, diku në Krujë, duke punuar e duke shtuar pajisje dhe në vitin ’94 mori një kredi nga qeveria gjermane afro 600 mijë marka gjermane ku e stabilizoi fabrikën duke e bërë të mirëfilltë, me pajisje të asaj kohe. Abazai ka ndërruar jetë në ’95 por na ka lënë ne një shkollë të mirë, një rrugë të mirë të jë pune ku vazhdojnë fëmijët e tij aktivitetin shumë mirë.”- thotë BESNIK ULLIRI.
Ende është në punë sharra e parë që krijoi Abaz Ulliri.
“ Kjo është makineria e parë që vëllai ka zhvilluar aktivitetin e parë të prodhimit të drurit, ku përpunonte fuçi druri për nevojat e viteve ‘90-’91 me një fjalë, apo siç i themi ne tundëse qumështi, pasi i donin në fshat dhe zonat përreth. Pastaj në vitin ’91 kemi filluar prodhimin e divanëve të parë. Pastaj filloi duke u zgjeruar duke marrë sharra të tilla ose plan siç i themi ne. Më pas investoi në fabrikën e parë në Shqipëri të prodhimit të drurit, të mobilieve private, pasi fabrikat e tjera ishin të shkatërruara.”
E pikërisht profesionistë e dalë nga kjo shkollë zanati, nisën të hapin bizneset e tyre që sot kanë lulëzuar në të gjithë aksin Tiranë-Fushë Krujë dukë përshtatur edhe teknologjinë e fundit.
“Abaz Ulliri është i pazëvendësueshëm, domethënë ka qënë pikënisja, busulla e çdo mobilierie këtu ka qënë Abaz Ulliri, pastaj janë zhvilluar të gjithë në mënyrën e vet. Ne nga viti ’94 deri në ’97 kemi pas punuar tek Abaz Ulliri, është një mobilieri e vjetër, aty jemi mësuar të gjithë si vëllezër dhe pastaj na lindi ideja se pse mos të punojmë për vete. Në vitin ’97 në muajin Gusht, 15 Gusht kemi vazhduar aktivitetin në një zonë këty afër me qira, pastaj mundësuam vlerën e kesaj pronës, tokën edhe vazhduam zhvillimin. Gradualisht duke punuar, duke investuar sadopak, pak vetë dhe pak me bankat kemi punuar.”- thotë Flamur Brama, Sipërmarrës.
Kompanitë kanë avancuar në investime të ndryshme në teknologji duke gëzuar sot certifikime të larta. Jemi ndalur tek një nga kompanitë e mirënjohura në zonën e Qerekës, “Mobileri Erald”.
Inxhinieri Auklent Myftaraj na tregon më shumë për proceset e punës dhe pajisjet në makineri.
“ Lënda e parë pasi importohet stivoset tek kjo fusha këtu dhe këtu rri për 2-3 muaj derisa lagështira i shkon në 20-30%. Pas kësaj dërrasa shkon në procesin e tharjes tek furra e tharjes dhe aty ne lagështirën e monitorojmë derisa shkon në nivelet 12%, në këtë moment që shkon në 12% atëherë ne themi se dërrasën e kemi gati për përdorim. Monitorimi bëhet 24 orë në 24 edhe nëpërmjet smartfonëve, ku kontrollohet temperatura, lagështira e dërrasës dhe koha e tharjes.”
Automatizimi paraqet një potencial të pakrahasueshëm për thjeshtimin e proceseve të punës dhe po ashtu gabimet ne projektim dhe realizim jane zero. Nga zyra bëhët programimi i elementëve sipas kërkesave të klientit dhe më pas implemenohet në këtë makineri. Veç drurit, nuk mungon edhe sektori i prodhimit të mobilieve prej hekuri.
Z.Arjan Muja, Administrator i “Mobileri Erald” na tregon për fillesat e kompanisë dhe hartën e eksporteve.
“ Mobileri Erald është themeluar në vitin 1997. Nevojat e krijimit të një kompanie ishin nga tregu vendas që po rritej, një kërkese vendore edhe për gjithë vendin. Nga një mobileri e vogël rritem kapacitetin e punëtorëve, të investonim në makineritë e asaj kohe dhe pak në teknologji. Kërkesat ishin në rritje. Kompania Erald ka nisur me një numër minimal pothuajse prej 5 vetash, ku 2 ishim staf dhe 3 punonjës. Sot kemi mbi 50 punëtorë. Normalisht është gërshetuar me teknologjinë, pasi në Mobileri Erald ka specialistë të mirëfilltë nga inxhinierët, arkitektët dhe të rinjë, por dhe gra të punësuara.”- shprehet Muja.
Ndryshe nga dikur, sot me shqetësim është rënia e interesit të banorëve për të punuar në këtë industri.
“Interesi i banorëvë për të punuar është në rënie për hir të vërtetës, për arsye se zona ka shumë kërkesë dhe oferta është e vogël nga zona dhe kërkohen punë më të specializuara dhe të rinjtë nuk e kanë shumë dëshirën që të vinë të punojnë në një fabrikë mobiliesh. Por ne po ofrojmë teknologji të lehtë për t’u kuptuar dhe punuar. Me gjithë mend sot mund të thuhet se ofrohet një vend pune i sigurtë për gjithë jetën sepse kërkesa është në rritje për këtë lloj pune. Kemi goxha kërkesa si brenda vendit, edhe jashtë.” –thotë Z. Muja.
Kompania dallon për certifikimet e larta që gëzon duke u kthyer në konkurruese.
“Mbi 50% e produkteve që janë bazë janë të certifikuara me certifikatën ISO, si karriget për lokale dhe familje edhe pajisjet për shkolla. Certifikimi merret edhe për proceset edhe për lëndët e para që përdoren në këto artikuj. Cilësia e hekurit, e dërrasës apo e lëndëve të para.”
Harta e eksporteve është e gjerë.
“ Eksportojmë në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Serbi, Itali, Gjermani, Angli dhe Zvicër, janë disa vende që janë bazë e vazhdueshme qe eksportojmë. Konkurrentë me vendet e tjera jemi në cilësinë e lartë të produktit. Modeli jonë dhe trendi janë kryesisht ato të Perëndimit, domethënë janë modele që janë në Itali, pra Italia është baza e këtyre.”
Z. Durim Doku, pjesë e Këshillit Bashkiak në Krujë thotë se zhvillimi i industrisë së drurit në këtë zonë shikohet si një potencial i jashtiëzakonshëm dhe kjo duhet ruajtur dhe vazhduar më tej me fanatizëm.
“ Industria e drurit është një nga zërat kryesorë ekonomikë në zonën tonë, pra të Bashkisë Krujë kryesisht dhe specifikisht të Njësisë Administrative Nikël. Kjo Njësi Administrative përbëhet nga 11 mijë banorë dhe janë rreth 200 biznese që merren me përpunimin e drurit dhe prodhimit të mobilieve, e cila punëtorë mund të ketë me mijëra. Sapo vijmë nga Tirana, sapo futemi në zonën e Krujës që është fshati i parë Qerekë, ndeshemi direkt në fillim fare me dyqane të mobilierive dhe deri në qytetin e Fushë-Krujës në të dyja anët e rrugës kemi me qindra showroom-e që tregtojnë mobilieritë e tyre.”- shprehet Z.Doku.
Si vendi i mobilieve, propozohet ngritja e një shkolle profesionale pikërisht në këtë zonë.
“ Rinia mund të themi që nuk është shumë dashamirëse për këtë biznes/sektor, por edhe indiferente nuk është. Por është momenti që zonës tonë, Njësia Administrative Nikël fillimisht i duhet një shkollë profesionale sepse këtu është vendi që prodhohen mobiliet, vendi më i rëndësishëm në Shqipëri që prodhohen mobiliet. Sipërmarrësit po bëjnë edhe eksporte, pra eksportojnë në masë në Europë, në Ballkan dhe më gjërë edhe në Angli ka subjekte që eksportojnë. Ndaj them që zona jonë, Nikla kryesisht dhe Qereka në veçanti ka krijuar traditë në prodhimin e mobilieve dhe prodhimin e drurit, diçka që nuk mund të shkojë në zhdukje, por vetëm në përparimin e zhvillimit e sipër.”- thotë Doku.
Për më shumë ju ftojmë të ndiqni emisionin e plotë në Kanalin e Youtube të Tv Klan.
#probusiness #oljanamaloku #tvklanplus #tvklan #mobilieri #fushekruje #nikel #qereke #mobilierierald #punetore #abazulliri #divane #sharre #fabrike
Boom-i i mobilerive në aksin Tiranë-Fushë-Krujë
Brenda “Mobileri Erald”, Qerekë