Kryeministri i vendit, Edi Rama ju ka uruar të gjithëve një ditë të bukur me lajmin e projekteve fituese të të parit konkurs ndërkombëtar për godinat e reja të administratës.
Përmes një postimi në “Facebook”, Rama shkruan se shteti përmes Korporatës Shqiptare të Investimeve përfiton në rolin e pronarit 4 projekte të cilat do të hidhen në garë të hapur për ndërtimin me sipërmarrje të një kompleksi administrativ, për sistemimin e një numri të konsiderueshëm institucionesh publike, të kompleksit të ri të Kadastrës Shtetërore, si edhe të dy godinave multifunksionale.
Në këtë mënyrë, kryeministri thekson se do të krijohet një platformë e re zhvillimi e pronës publike sipas modeleve më të mira europiane, si dhe transformimi të infrastrukturës së shërbimit publik në funksion të Vizionit Shqipëria 2030.
Kujtojmë se ditën e djeshme, juria ndërkombëtare shpalli studion franceze Coldefy dhe atë italiane Andrea Caputo, si projektet fituese që do të ndërtojnë godinat e reja për zyrat qeveritare.
Pas prezantimit të projekteve nga 10 studiot pjesëmarrëse në konkurs, juria shpalli edhe fituesin në garën për dy projektet e para të Korporatës Shqiptare të Investimeve./tvklan.al