Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas një pezullimi dymujor, ish-të përndjekurit dhe të persekutuarit politikë, kanë rifilluar protestat me kërkesën e vetme, dëmshpërblimin nga qeveria për të gjitha vitet e punës së kryer në kohën e burgimit. Për herë të parë përfaqësues nga shoqata e ish-të përndjekurve politikë kanë protestuar para përfaqësisë së OSBE-së në Tiranë, ku kanë kërkuar ndërmjetësimin e saj, për zgjidhjen e problemit të tyre nga qeveria.

Por sipas Ministrit të Shtetit Blendi Klosi, projektligji i qeverisë, ende nuk ka përfunduar, ndërsa ai i paraqitur nga opozita është i pazbatueshëm, pasi sipas tij, ka një faturë të lartë financiare. Sipas zotit Klosi, kjo çështje nuk zgjidhet me protesta.

Blendi Klosi:- “Është një ngatërresë më e madhe që sjell ky ligj, pasi jo vetëm fatura është shumë e madhe, por edhe mënyra se si ai trajtohet është krejtësisht e mbrapsht dhe ne ekspertët e caktuar nga këshilli i ministrave së bashku me përfaqësues të të përndjekurve politikë, po punojnë intensivisht për të sqaruar se si është e gjithë situata dhe për të sqaruar të gjitha ato çfarë është bërë gjatë gjithë këtyre viteve të të përndjekurve politikë. Nuk jemi as në kohën e shantazheve, as në kohën kur problemet zgjidhen me demonstrata në rrugë”./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço