Selia rozë paralajmëron një protestë qytetare ditën e premte më datë 19 Shtator.

Lajmi u bë publik nga kryetari Edi Rama, i cili foli për median në ditën që shënon plot gjashtë muaj nga tragjedia e Gërdecit, tragjedi që për Ramën u shoqërua me një zhvillim po aq tronditës siç ishte vdekja sipas tij në rrethana misterioze e dyshimtarit kyç të hetimeve mbi ngjarjen.

Edi Rama: “Në ftojmë qytetaret e qytetarët të premten pasdite për të manifestuar me një zë të vetëm në këto orë të vështira për Shqipërinë nevojën jetike të të gjitha familjeve shqiptare për siguri e drejtësi.”

Për kryetarin socialist shqetësimi kryesor lidhet me ato që ai i cilësoi përpjekje qeveritare për të kontrolluar institucionin e akuzës.

Edi Rama: “Ne i japim kryeministrit 30 ditë afat për ta bërë këtë hapur, qartë, pa asnjë shteg për kthim mbrapa duke e harruar një herë e mirë projektin famëkeq qeveritar të ligjit për prokurorinë dhe duke sjellë e miratuar në kuvend një ligj të ri për organin e akuzës që të ketë konsensusin e plotë të vetë prokurorisë e të të gjithë aktorëve të tjerë të sistemit të drejtësisë”.

Protesta e 19 Shtatorit do të jetë e dyta që një parti në opozitë organizon pas tragjedisë së 15 Marsit në Gërdec.

Në marshimin e heshtur kundër pasigurisë dhe korrupsionit asokohe të gjitha partitë në opozitë ishin bashkë, por këtë herë Rama u drejtoi thirrje vetëm qytetarëve ndoshta duke e lënë në vullnetin e lirë të partive t’i bashkohen ose jo protestës./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi