Me një udhëtim në urën më të gjatë të Rusisë, Presidenti Vladimir Putin hapi trafikun hekurudhor në gadishullin e Krimesë së Detit të Zi. Televizioni shtetëror tregoi Putinin që qëndronte në kabinë me lokomotivistin.
“Pojechali” – “Le të nisemi”, tha ai. Me punëtorët ai më pas piu çaj në një vagon, në kohën kur treni ecte mbi urën 19 kilometra të gjatë. Rusia e aneksoi Krimesë, pjesë e Ukrainës, megjithë protestat ndërkombëtare në vitin 2014.
Kreu i Kremlinit hipi në tren në Kerç në Krime dhe mbërriti pak më vonë në gadishullin rus Taman. “Kjo është një ngjarje e madhe,” tha Putini në stacionin e trenit. Miliona njerëz sipas tij do të vijnë në Krime në këtë mënyrë në të ardhmen.
Ndërtimi zgjati katër vjet
Pjesën e autostradës të urës së diskutueshme Putini e hapi që vitin e kaluar. Pas më shumë se katër vjetësh ndërtimi në shina tani po ecin trenat e parë nga metropolet ruse drejt gadishullit. Televizioni tregoi nisjen e trenit nga Shën Petersburgu, kur në tren hipën 530 pasagjerët e parë. Ata pritet të mbërrijnë në Krime natën e së mërkurës.
Ukraina, së cilës sipas së drejtës ndërkombëtare i përket Krimeja, protestoi te BE dhe te SHBA kundër urës. Ura e gjatë prej 19 kilometrash në ngushticën e Kerçit – midis Detit të Zi dhe Detit Azov – është më e gjata në Rusi dhe në Evropë. Ajo ka kushtuar rreth 228 miliardë rubla (3,3 miliardë euro)./DW