Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ju referua raportit të Ballkan Monitor për të nënvizuar, se niveli i korrupsionit në Shqipëri është i lartë. Madje vendi ynë sipas të njëjtit raport të zbardhur nga kryesocialisti  rezulton të jetë më i korruptuari ne Ballkan. Raporti  i realizuar nga Gallup në bashkëpunim me Fondin Evropian për Ballkanin i referohet perceptimit qytetar mbi fenomenin.

Edi Rama: “Ndërkohë që Serbia, Maqedonia, Mali i zi, Kroacia, Bosnja dhe Kosova kanë një nivel korrupsioni sipas radhës nga 10 në 5%, niveli i korrupsionit në Shqipëri është 32%. Nuk është e para herë që raportet e institucioneve të specializuara na japin këtë vit një pamje rrëqethëse të keqqeverisjes duke nxjerr në pah me fakte reale shifra tronditëse atë që shqiptaret e shqiptarët përjetojnë vijimisht nën këtë qeveri që po shpartallon shtetin dhe nën këtë kryeministër që po abuzon rëndësishëm me pushtetin.”

Kryesocialisti Rama tha, në mbështetje të këtij arsyetimi se niveli i larte i korrupsionit në Shqipëri është bërë publik dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar   si dhe progresraporti për vitin 2008. Fakte këto që sipas tij do të sjellin ndëshkimin me votë të kryeministrit Berisha  ne zgjedhjet e vitit 2009. /tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi

Operator: Enver Shehu