Ka nisur fjalën e tij në Kongresin Zgjedhor të PS kryeministri i vendit Edi Rama. Ditën e sotme ai e konsideroi një fillim të ri të partisë në pushtet, duke theksuar se është koha për një “investim në kapitalet njerëzore të PS.”
“Ky është një stacion me rëndësi në rrugëtimin e partisë sonë, jo thjesht sepse do zgjedhim përfaqësuesit e familjes tonë të madhe politike në Asamble, prej së cilës në fillim të sezonit të ardhshëm politik do dalin edhe Kryesia e Sekretariati i ri ekzekutiv i PS. As sepse sot nis praktikisht mbjellja e fushës së fitores që do korrim në pranverën e ardhshme me një punë të gjithanshme në gjithë Shqipërinë. Sot nis natyrshëm edhe projekti i PS 2030. Për të cilin një gjeneratë tjetër duhet të marrë kreshendo hap pas hapi, më shumë pjesë, më shumë peshë, më shumë përgjegjësi mbi shpatulla.”
Ai falënderoi në emër të të gjithë socialistëve për punën e saj, ish-kryeparlamentaren Lindita Nikolla.
“Është kjo koha e duhur për të nisur një investim të ri për kapitalin njerëzor të PS dhe për të punuar me një ambicie të re, paralelisht jo vetëm për Shqipërinë 2030, por edhe PS 2030. Dua të ndalem një moment për të përshëndetur e falënderuar Lindita Nikollën. Shërbeu si kryetare e Kuvendit në 3 vjet jo të lehta, bëri më të mirën e saj si gjithmonë, qysh ditën e parë të shërbimit publik si mësuese. Faleminderit Lindita për forcën e shembullit që ti je!”
/tvklan.al