Përballë si kundërshtarë politikë, ndërsa këtë herë në një bashkëbisedim me njëri-tjetrin, jo vetëm për politikën. Ish-deputeti i PD-së, njëherësh profesor i gazetarisë Mark Marku ishte i ftuari i radhës në podcastin e kryeministrit Edi Rama.
Edhe pse kanë kaluar kohë, Rama nuk harroi t’i kërkonte një ndjesë publike të ftuarit për ironinë e përdorur ndaj tij gjatë një mitingu në Lezhë.
Edi Rama: Tani të detyrohem një ndjesë për një arsye që nuk më bën krenar sot dhe aq më tepër që më ke nderuar me praninë këtu. Në një moment të barrikadimeve gjatë fushatës së fundit, mos gabohem, ti ishe kandidat në Lezhë dhe unë në mitingun e Lezhës ta thoja emrin Mark Marku por me njëfarë ironie që nuk më bën krenar sot.”
Para Ramës, Mark Marku foli për afrimin e tij me Partinë Demokratike
Mark Marku: Momenti ishte lëvizja e studentëve dhe ai ka qenë momenti i parë dhe ndoshta i fundit i angazhimit tim romantik politik. Kam menduar po do shkoj dhe pastaj në momentin që unë e pashë që shumë gjëra nuk funksiononin jam shpreh dhe rithemelimin e PD e kam kërkuar kur PD ishte në pushtet në 2011. Ka energji në PD dhe mua më vjen keq që kjo energji shkon kot. Kjo më shqetëson.”
Në përgjigje të pyetjes së kundërshtarit të tij politik, Rama vlerësoi punën që është bërë me reformën në drejtësi, por pranoi edhe kritika
Edi Rama: Kur them që nuk është thjesht drejtësia që lufton korrupsionin, por duhet që shteti të ngrihet në një nivel ku hapësirat për korrupsioni ngushtohen. Nga sistemi i funksionimit dhe nga mënyra se si mekanizmat funksionojnë këtë kam parasysh.
Foli edhe për arsyet se përse kërkon edhe një mandat të katërt
Edi Rama: Jemi sot në një komplet tjetër situatë nga çfarë ishim, por kjo nuk mjafton. Duhet ta ngremë shumë më tepër stekën e luftës me korrupsionin në të gjithë frontin jo thjesht tek drejtësia dhe ky është momenti që ma bën më tundues se çdo gjë tjetër, ose më saktë njëri nga dy momentet atë pozicionin në raport me mandatin e katërt.
Përballë profesorit të gazetarisë Rama pronoi problemet herë pas here me mediat, por tha se asnjëherë nuk ka përdorur pushtetin për të goditur gazetarët.
Klan News