Në ditën e tretë të komunikimit publik për informalitetin e pagave, Edi Rama ripërsëriti prerazi se do të ketë zero kompromis me deklarimet e rreme.
“Ne nuk do të pranojmë më deklarime pagash të cilat nuk i besojmë”, tha Rama.
Mesazhin e parë, Kryeministri e pati serish për sipërmarrjet e mëdha, duke i paralajmëruar për penalitetet që do ndërmerren.
“Ndërtuesit që do të deklarojnë 60 mijë lekë pagë, që nuk ekzistojnë fare, duhet të kuptojnë që nuk do t’ju pranohet. Do t’ju kthehet mbrapsht deklarimi. Nëse nuk do ta reflektojnë këtë gjë, atëherë do duhet të përballen me situata siç u përballën hajdutët e energjisë elektrike. Mund të shkojnë deri në kolaps të kompanisë. Për çfarë? Për të mos paguar haraçin pensionistëve që e kanë fituar me një jetë të tërë punë”, tha Rama.
Të njëjtin apel adresoi edhe ndaj biznesit të vogël, të cilin tha se qeveria e tij e ka përjashtuar nga taksat deri në vitin 2029.
“Autograbitjen ne nuk e pranojmë dot dhe do të marrim masa drastike për çdo biznes të vogël që nuk paguan sigurimet shoqërore”, tha ai.
Në planet e saj qeveria nuk përjashton edhe një tjetër model që ndiqet nga vendet nordike.
“T’i detyrojmë nxjerrjen e pagave të të gjithëve me ligj, që njerëzit të gjithë ta shohin se kush paguan çfarë”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit mos pagimi i Sigurimeve Shoqërore reale nga ana e sipërmarrjeve i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një gropë të madhe, duke privuar nga rritja ekonomike kategorinë e pensionistëve.
Pas konsultave që kryeministri ka nisur me grupet e interesit do të prezantojë, edhe planin përmes të cilit qeveria synon rritjen e pensioneve.
Tv Klan