Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Prokuroria e Përgjithshme e konsideron vrasjen e mbrëmshme të shoqëruesit të familjes së kryeprokurorit Sollaku, një krim për motive banale. Në njoftimin për shtyp të organit qendror të akuzës, konfirmohet ky version i ngjarjes.

Në pritje të hapjes së semaforit paralel me makinën e drejtuar nga gardisti Genci Sina, ka ndaluar një taksi në kraun e pasagjerit të së cilës ndodhej një person. Ai ka replikuar me të ndjerin, duke i thënë çfarë ke, pse shikon nga unë dhe menjëherë ka zbritur nga taksia dhe qëllon me pistoletë. Më pas largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Goditja me një plumb i ka çarë aortën dhe ka qenë i pamundur çdo ndërhyrje e mëtejshme mjekësore.

Në makinë ndodhej edhe gruaja dhe vajza e kryeprokurorit të cilat nuk kanë pësuar dëmtime. Komisariati nr.2 i policisë, ndërkohë pasi ka marrë në pyetje taksistin, e ka lënë atë të lirë në orët e mëngjesit. Me gjithë dëshmitë e dhëna prej tij, nuk është bërë i mundur identifikimi i autorit.

Edhe policia e Tiranës ka dhënë thuajse të njëjtin version të ngjarjes me atë që ka dhënë prokuroria dhe që ka të bëjë me motivet banale. Por mënyra e vrasjes tregon se ajo ka qenë e parapërgatitur. Është kryer me armë zjarri me silensiator, si dhe me gjakftohtësi nga autori në qendër të Tiranës. Autori e ka llogaritur me përpikmëri çdo lëvizje dhe ka kryer krimin në çastin e ndalimit të makinave për shkak të semaforit, si dhe është larguar me këmbë për të humbur gjurmët.

Viktima Sina nga ana tjetër ka qenë një gardist prej disa vitesh, gjë që lë vend për dyshime se ai mund të ketë rënë pre e provokacioneve për shkaqe banale, ndërkohë që shoqëronte me automjetin e tij familjen e kryeprokurorit./tvklan.al