Edi Rama: “Tragjedisë jo natyrore të Gërdecit, e cila me të panjohurën e saj rëndon shpirtin mendjen e çdo shqiptari e shqiptareje, i shtohet tragjedia jo natyrore e familjes Trebicka që e bën edhe më alarmante nevojën për të zbardhur deri në fund kontrabandën e fishekëve, vrimën e zezë që thithi 26 jetë njerëzish në Gërdec dhe rrethanat e humbjes së kësaj jete të 27, e cila dhëntë zoti të mos jetë vrasje me paramendim, për të kyçur gojën e një dëshmitari kyç e për të kërcënuar me të njëjtin fat ata që po hetojnë zullumin vrastar të Gërdecit.
Unë i shpreh ngushëllimet e mia familjes, të afërmve dhe miqve të Kosta Trebickës, një qytetar i mirë që sot nuk jeton më. I shpreh gjithashtu solidaritetin e plotë të opozitës prokurorëve të çështjeve që lidheshin edhe me emrin e këtij dëshmitari tanimë të vdekur. Prokurorja e Përgjithshme e republikës ka ë gjithë solidaritetin njerëzor dhe mbështetjen morale të opozitës për të zbuluar së bashku me ata që e hetojnë drejtpërdrejt çështjen, fillin e plotë të kontrabandës së fishekëve, për t’i nxjerrë fundin kraterit të zullumit vrastar të Gërdecit dhe për të na thënë një orë e më parë nëse Kosta Trebicka vdiq aksidentalisht duke u kthyer nga gjahu apo u vra nga kriminel të cilët kanë filluar gjuetinë e njerëzve që dinë për Gërdecin.
Zoti kryeministër, prokuroria është sot në provën e saj më të rëndë sepse duhet të zbardhë pa humbur kohë një histori ku qeveria dje emri juaj janë drejtpërdrejtë të përfshirë. Unë prita disa orë që këtë fjalë timen ta mbanit ju zoti kryeministër sepse është në radhë të parë e juaja, detyra për të mbështetur fuqimisht prokuroren e përgjithshme dhe prokurorinë e republikës që ta zbardhë një orë e më parë këtë vdekje kaq tronditëse dhe t‘i përfundojë hetimet e Gërdecit pavarësisht se ato mund t’ju vënë dhe vetë juve në pozitë të vështirë./tvklan.al
Gazetare: Anila Rama
Operator Ben Haxhiaj