Donald Trump korr një prej fitoreve më të rëndësishme në Kongres, që prej zgjedhjes si President i Shteteve të Bashkuara. Senati amerikan miratoi reformën e taksave, të hartuar nga republikanët. Reforma u miratua me një shumicë të thjeshtë 51 me 48, vetëm pak orë pasi kishte kaluar edhe në dhomën e ulët.
Reforma Trump redukton barrën fiskale për shumicën e familjeve dhe individëve. Ul nivelin e tatimit për të ardhurat individuale. Por përfitimet më të mëdha i ka biznesi. Taksa e korporatës ulet me 14% duke arritur në nivelin 21%.
Ekspertët thonë se benefite në veçanti kanë kompanitë me shtrirje ndërkombëtare dhe firmat tregtare. Përfitime kanë edhe familjet e pasura, që dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat private. Një barrë e rëndë u shtohet familjeve mesatare që jetojnë në qytetet e mëdha me kosto të larta jetese, të cilëve do tu duhet tashmë të paguajnë nga xhepi, sigurimet shëndetësore. Ndaj dhe pavarësisht se republikanët thonë se sistemi i ri i taksave do të nxisë investimet dhe rrisë konsumin, demokratët e përkufizojnë atë thjesht si favorizues të të pasurve.
Ekspertët thonë se Trump është bazuar tek politikat fiskale të Reganit në vitet ’80, të cilat nuk dhanë rezultatet e pritshme. Sistemi i ri i taksave do të nisë të zbatohet në 2019-ën për një periudhë 10-vjeçare dhe pritet t’i kushtojë buxhetit 1.4 triliardë dollarë.
Tv Klan