Pas paralajmërimit që u bëri kryebashkiaku Veliaj me heqje licence operatorëve të transportit, këto të fundit kanë rifilluar sot punën. Sikurse shihni edhe nga këto foto, që në orët e para të mëngjesit linjat e autobusit kanë filluar nga puna, duke zbatuar edhe protokollin e sigurisë sipas dakordësisë së arritur mes Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe Shoqatës së Shoqërive të Transportit Publik Urban.
Për të maksimalizuar sigurinë ndaj COVID-19, punonjësit e shërbimit të operatorëve si: kontrollor, dispecer, si dhe stafe të tjera plotësuese janë pajisur me maskë mbrojtëse në momentin që janë prezent në mjet gjatë kryerjes së shërbimit.
Gjithashtu edhe nga ana e qytetarëve lejohet të përdorin autobusin vetëm nëse përdorin maskë, si dhe këshillohen të mbajnë një distancë sigurie. Në stacionet e qëndrimit udhëtarët janë të detyruar të përdorin maska gjatë pritjes së autobusit.
Ndërkaq, sikurse është rënë dakord mes Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe Shoqatës së Shoqërive të Transportit Publik, mjetet e operimit do të dezinfektohen në mënyrë periodike në ambientet e operatorit transportues nga stafi i tij dhe mjetet e operimit në transportin qytetës/rrethqytetas për personelin e shërbimit (shoferë, faturino, kontrollorë) do të pajisen me dizinfektantë me bazë alkooli.
Në çdo mjet janë vendosur postera për respektimin e rregullave të higjienës, të rekomanduara nga OBSH-ja, të vendosura në vende të dukshme për udhëtarët.
Për zbatimin me rigorozitet të masave të sigurisë, çdo udhëtar dhe punonjës i transportit publik mban përgjegjësi personale për mosrespektimin e këtij protokolli, si dhe janë objekt kontrolli nga organet kompetente dhe masat e parashikuara në protokollin e sigurisë do të kontrollohen nga organet kompetente./tvklan.al