KPK, sot seanca dëgjimore dhe vendime për njerëzit e drejtësisë
Kjo e mërkurë ka qenë një ditë e ngarkuar për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me seanca dëgjimore dhe vendime për disa njerëz të drejtësisë.
Komisioni dha karton jeshil për drejtuesen e Prokurorisë në Durrës Anita Jella, e cila u konfirmua në detyrë pasi rezultoi e pastër në komponentët e vlerësimit. Organi i akuzës në Durrës është në qendër të vëmendjes pasi është institucioni që po mbledh provat dhe po kryen hetimet në lidhje me tërmetin e 26 Nëntorit.
Në sitën e Vettingut ngeci sot gjyqtari i Apelit në kryeqytet, Fatri Islamaj pasi sipas KPK kishte probleme me pasurinë. Ndërkohë, më herët u konfirmuan në detyrë gjyqtari i Krimeve të Rënda Klodian Kurushi dhe prokurori Apelit në Tiranë Gent Xholi.
Ndërkaq, po sot doli para Vettingut prokurori i Krimeve të Rënda Anton Martini, një nga anëtarët e akuzës që ka patur në dorë dosje të rëndësishme. Vendimi për të do të jepet më 12 Dhjetor.
Klan Plus