Presion më të drejtpërdrejt për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe anëtarësim të Kosovës në NATO presin analistët dhe ekspertët e sigurisë në katër vitet e ardhshme kur SHBA-ja do të drejtohet nga administrata Trump.
Analisti politik Artan Behrami thotë se politika e jashtme amerikane nuk do të ndryshoj ndaj Kosovës e as rajonit, por vetëm teknikat për të bindur palët për të arritur marrëveshje.
Ai kritikon qasjen e qeverisë Kurti që kishte më parë ndaj administratës Trump duke kujtuar përplasjet e vazhdueshme me Richard Grenell i cili ishte i dërguar i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi.
Eksperti i Sigurisë, Drizan Shala thotë se nuk do të mungojë përqendrimi i SHBA-së në Kosovë për vetë faktin se edhe në Administratën e kaluar Trump ishte angazhuar për një marrëveshje Kosovë-Serbi ndërsa përmend kampin Boondsteel në Kosovë.
Ai thotë se në këtë katër vjeçar do të ketë edhe anëtarësim të Kosovës në NATO.
“Kampi Boondsteel në Republikën e Kosovës do të shnderrohet në një bazë të përhershme amerikane, e cila do të luaj një rolë të rëndësishëm në ofrimin e garancisë edhe për sovranitetin e Republikës së Kosovës. Por edhe avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO”, tha ai.
Republikani Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, duke e mposhtur kandidaten demokrate Kamala Harris.
Klan News