Të ftuar:
Dasara Karaiskaj – Gazetare:
Elda Laze – Gazetare e Kulturës,
Leontina Nikaj – Gezetare
Albina Gjergji – Gazetare
Të gjithë i kemi ndjekur dy mbrëmjet e kaluara të spektaklit “Kënga Magjike”, që vjen këtë vit në një përvjetor të rëndësishëm, pikërisht në edicionin e 20-të.
Artistë “Big” dhe “New” kanë kënduar dhe performuar live para publikut të sallës së Pallatit të Kongreseve, ndërkohë që nesër në mbrëmje pritet “magjia” e natës finale.
Për të komentuar edicionin e 20-të të “Këngës Magjike” ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan gazetaret Dasara Karaiskaj, Elda Laze, Leontina Nikaj dhe Albina Gjergji.
Sipas gazetareve ky edicion është i arrirë në të gjitha aspektet dhe më e rëndësishmja ajo për të cilën të gjitha bien dakort është se nuk ka diferencë mes artisëve të rinj dhe artistëve “big” përsa i përket performancave.
“Mua më është dukur një nga edicionet më të mira. Skenografia ishte shumë e mirë, skenari po ashtu, edhe prurjet ishin shumë të mira. Dhe ajo që më bëri shumë përshtypje ishte se kësaj radhe pashë edhe tekste këngësh. Kishte poezi dhe tekste që më kanë ngacmuar, por nuk di të them për mirë apo për keq, isha me dyshime. Artistët e rinj këtë vit mund të konkurojnë edhe me artistët “big””, tha Laze.
“Unë do thoja që teksti është komponenti më i rëndësishëm në një këngë”, tha Gjergji.
“Kur teksti dhe muzika ndërthuren bashkë është arritja më e madhe. Por unë do thoja një gjë tjetër, tekstet këtë vit kanë poezi, por kanë edhe shumë vuajtje. Dhe pas kuintave pyeta: Kaq shumë vuani ju këngëtarët? Dhe përgjigja ishte: Më gjej një artist që nuk vuan…
Shumë prej tyre thonë edhe që është pjellë e fantazisë, por në momente vështirësie dalin edhe gjërat më të bukura. Këtë vit ka surpriza në çdo aspekt. Nëse më përpara e bëje diferencën mes artistëve, këtë vit është shumë fluide. Edhe në prapaskenë këngëtarët janë ende të pasigurt dhe duke qenë se janë në dominancë artistët e rinj mund të surprizojnë me votat e tyre”, tha Nikaj.
“Kënga ime e preferuar ishte kënga e MC Kreshës me Fifin, të prekte në çdo damar. Ajo shkruan edhe tekste shumë të bukura, por si vitin e kaluar edhe këtë vit ajo stonoi. Megjithatë mbetet një vajzë e talentuar që e ka artisten brenda saj. Por unë u zhgënjeva kur një kolege e imja para dy ditësh më çoi një këngë ku pjesa që këndon MC Kresha ishte njëlloj me atë të Wyclef Jean me Mary J Blige. Fjalët e tekstit janë identike me ato të MC Kreshës. Tekstin ata e kanë bërë të dy bashkë. Kolegia ime ia çoi tekstin MC Kreshës për t’i thënë për ngjashmërinë mes teksteve, por ai nuk i ktheu përgjigje dhe e bllokoi. E di që kjo që po them nuk do ndikojë në votime dhe ajo mbetet një këngë e bukur”, tha Karaiskaj.
Flora Xhemani Baba – Eksperte Turizmi
Shqipëria është padyshim një vend që të ofron destinacione të mrekullueshme për t’u vizituar. Si në mal edhe në det mund të zhvillosh sporte nga më të ndryshmet.
Por për një turizëm jo edhe aq sportiv, për njerëzit që preferojnë pushime komode, gjithashtu mund të zgjedhim qytetet e Shqipërisë, të cilat të ofrojnë shumë vende për t’u parë dhe vizituar.
Dhe për të na sugjeruar vendet më të bukura që duhet të vizitojmë në Shqipëri këtë sezon ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ekspertja e turizmit, Flora Xhemani Baba.
“Aktualisht Korça është qyteti që shkon në mendjen e çdo pushuesi për një fundjavë. Në ndryshim nga qytete të tjera që kanë potencial turistik, por që nuk kanë infrastrukturë, Korça mund të vizitohet edhe për një ditë, por edhe për një fundjavë. Korça është shumë e kompletuar. Megjithatë nuk është vetëm Korça, është edhe Pogradeci. Në dimër Pogradeci është i jashtëzakonshëm, ofron muzikë qytetare dhe ushqime tradicionale.
Shkodra po ashtu është një qytet magjik, është zbukuruar edhe më shumë për festa. Është nga qytetet më të kompletuara përsa i përket infrastrukturës dhe ka identitet si qytet. Plus ka edhe çmime shumë të përballueshme.
Vlora po ashtu është një qytet shumë i bukur, Durrësi, Berati i jashtëzakonshëm dhe për Krishtlindje është edhe më i veçantë.
Zhvillimet agroturistike janë kthyer tashmë në tendencë dhe kjo është ndër pjesët më të bukura në qytete të ndryshme të vendit tonë”, tha ekspertja e turizmit.