Shqipëria është bërë zyrtarisht pjesë e iniciativës globale të autizmit për shëndetin publik.

Fondacioni “Fëmijët shqiptarë” nën kujdesin e zonjës Liri Berisha nënshkroi një marrëveshje partneriteti me strukturat ndërkombëtare të luftës kundër autizmit.

Në fjalën e saj pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje zonja Berisha vlerësoi bashkëpunimin duke shprehur besim se ai do të jetë i frytshëm, profesional dhe do t’u shërbejë fëmijëve që vuajnë nga kjo sëmundje.

Liri Berisha: “Zyrtarisht Shqipëria bëhet pjesë e iniciativës globale të autizmit, gjë që është shumë e rëndësishme. Në këtë partneritet do synojmë aplikimin e përbashkët të programeve, të sensibilizimit, të trajtimit dhe të punimeve shkencore. Nga ky bashkëpunim mendoj se do të përfitojnë shumë, jo vetëm fëmijët e sëmurë, por edhe familjet dhe stafi akademik”.

Në nënshkrimin e marrëveshjes ishin të pranishëm dhe ekspertë të iniciativës globale. Gjatë dy ditëve të qëndrimit të tyre në Shqipëri ata u takuan me përfaqësues të lartë të shëndetësisë, punëve sociale, arsimit si dhe aktorë të tjerë që trajtojnë sëmundjen e autizmit./tvklan.al