Kombëtarja u mund 2-0 nga Çekia të premten në Pragë, duke u dorëzuar përballë vendasve. Një humbje tjetër kur janë zhvilluar gjysma e takimeve të Ligës së Kombeve me Shqipërinë që ka 3 pikë në po aq ndeshje, ndërsa Çekia shkon në kuotën 6. Sylvinho e nisi me të njëjtin formacion si me Ukrainën, ku ndryshimi i vetëm ishte në sulm, me Dakun në vend të Manajt, i cili mungon për shkak dëmtimi.

Një incident ndodhi në tribunën pas porte ku ndodheshin tifozë çekë, u shfaqën flamuj shqiptarë me kokë poshtë dhe me kryq, por edhe një, ku territori i Kosovës kishte flamurin serb. Çekia e nisi vrullshëm ndeshjen duke arritur të shënojë në fillimin e minutës së tretë me Chory. Pakujdesia e mbrojtjes bëri që çekët të kalojnë në avantazh shumë shpejt. Presioni i vendasve nuk u ndal dhe përpjekjet e kuqezinjve ishin të pafuqishme për të rrezikuar.

Në mesin e pjesës së parë, Bajrami pati mundësinë më të mirë, ndërsa Daku u pengua në disa raste nga mbrojtësit kundërshtarë. Në fillimin e pjesës së dytë, lojtarët shqiptarë u shfaqën më të guximshëm, me një kundërsulm ku Asani nuk e shfrytëzoi ashtu siç duhet duke goditur mbi traversë. Vendasit nuk hoqën dorë duke ushtruar presion të vazhdueshëm në portën e Strakoshës. Në të 63’ realizoi sërish Chory me kokë i pashqetësuar në mes të zonës.

Debutuesi Tuci e Hoxha u aktivizuan në vend të Dakut e Asanit. Në të 76’ Asllani iu afrua golit, por goditja e tij u ndal nga portieri kundërshtar. Minuta pati edhe për Seferin e Muçin, të cilët u përfshinë në lojë si zëvendësues i Laçit e Bajramit. Tuci pati një tjetër mundësi në të 80’, por portieri u tregua i vëmendshëm. Në ndeshjen tjetër e grupit tonë Ukraina mori pikët e para, duke mundur 1 – 0 Gjeorgjinë.

Kombëtarja duhet të synojë maksimalen nga tre ndeshjet për të synuar avancimin në fazës e Ligës së Kombeve. Ndeshja e radhës e kuqezinjve është ajo ndaj Gjeorgjisë të hënën në Tbilisi, një tjetër sfidë që do të transmetohet në TV Klan.

Tv Klan