Vlerësimi nga indeksi i Institutit të Bazelit për vitin 2020
Shqipëria vijon të mbetet një vend me risk të lartë sa i përket pastrimit të parave. Pas Moneyval, edhe indeksi i vitit 2020 i Institutit të Bazelit e rendit Shqipërinë si vendin europian me pikëzimin më negativ sa i takon riskut të pastrimit të parave dhe terrorizmit, duke lënë pas vetëm Turqinë.
Në bazë të raportit Shqipëria zë vendin e 44 mes 141 vendeve duke marrë vetëm 5.69 pikë, teksa Turqia ndodhet tre pozicione më keq se ne duke u renditur e 41-a me 5.76 pikë.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Bosnjë-Hercegovina renditet e 47 me një klasifikim më të mirë sesa vendi ynë dhe më pas vjen Serbia në vendin e 54. Maqedonia renditet tek vendet me riskun e ulët të pastrimit të parave dhe terrorizimit me 3.98 pikë dhe në vendin e 117, Kroacia në vendin e 119 dhe Mali i Zi në vendin e 126 ndjekur nga Greqia ne vendin e 127 dhe Sllovenia në vendin e 133.
Indeksi rendit Afganistanin dhe Haitin si dy vendet me riskun më të lartë të pastrimit të parave, ndërsa Estonia dhe Malta me riskun më të ulët. Për raportin reagoi edhe opozita, e cila thotë se vendi ynë ofron mundësi të arta për grupet kriminale dhe organizatat terroriste që pastrojnë paratë e tyre.
Pavarësisht paralajmërimeve të ndërkombëtarëve, sipas selisë blu qeveria shqiptare nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të miratuar në shtator ligjin për amnistinë fiskale dhe penale të parave të pista.
Tv Klan