Për Kryeministrin Rama “boomi turistik” që po njeh Shqipëria është meritë e qeverisjes socialiste.
Deklaratën e bëri duke iu përgjigjur një komentuesi në rubrikën “Sy më sy”, i cili shprehej se ardhja e turistëve është si rezultat i bukurive që ka vendi dhe jo për meritë të qeverisë.
“Pra, meqë ne qenkemi të gjithë njësoj sipas teje, pse nuk vinin turistët edhe para sesa të vinte Partia Socialiste bashkë me mua në qeveri? Po meqë deti, malet dhe lumenjtë aty ishin, pse nuk na zinte njeri me gojë deri disa vite më parë për këto bukuri që na ka falur Zoti, por vetëm për plehrat dhe për tërë të zezat”?
Kreu i qeverisë e vijon komentin e tij duke thënë se partia që ai drejton ka përmbysur edhe marrëdhëniet me botën, duke bërë që mediat e kësah të fundit të flasin vetëm për Shqipërinë.
“Dhe kush e përmbysi këtë histori të marrëdhënieve të botës me ne dhe kush i bëri gjithë mediat e botës të flasin për Shqipërinë si destinacion turistik? Zoti? Po pse u kujtua Zoti xhanëm vetëm këto vitet e fundit që jemi ne në qeveri dhe nuk deshi t’ia dinte fare përpara, kur qeverisnin ata që e bënë këtë vend zhele, katran me bojë në sytë e botës dhe që nuk ua hidhte sytë askush, fare”.
Rilindja urbane dhe politika e jashtme dinjitoze, janë dy prej faktorëve që sipas tij kanë ndikuar në Shqipërinë turistike.
“Siç thotë populli: Zoti ndihmon ata që ndihmojnë veten. Dhe Shqipërinë turistike e bëmë ne dhe askush tjetër. Në radhë të parë, me atë rilindje urbane; dhe pastaj, me durim, me një politikë të jashtme dinjitoze që e ka bërë Shqipërinë lajm të mirë dhe vend të respektuar, si dhe me shumë punë të tjera në të gjitha drejtimet. Kështu që Shqipëria ftohet si vendi i nderit në Panairin Global të Turizmit në Berlin, ftohet sepse kemi punuar për këtë ditë. Dhe ditë më të mira do të vijnë. E di pse? Sepse punojmë për to”.
Kryeministri thotë se kjo mazhorancë është ndryshe nga ajo që ofrojnë krerët e opozitës.
Tv Klan