Lajme Arkiva 2003

5000 shqiptarë të burgosur jashtë vendit kanë të drejtë të kërkojnë transferim për të vuajtur dënimin nëpër burgjet shqiptare. Kjo bëhet e mundur nëpërmjet konventës së Këshillit të Evropës për transferimin e personave të burgosur, konventë në të cilën ka aderuar tashmë edhe vendi ynë.

Procedurat për transferim fillojnë menjëherë pas kërkesës së bërë nga i burgosuri i cili duhet të jetë njëkohësisht i dënuar nga drejtësia me dënim të formës së prerë.

Kërkesa i bëhet drejtësisë së shtetit ku po vuhet dënimi si edhe Ministrisë shqiptare të Drejtësisë e cila ka si detyrim të paraqesë për shtetin dënues një sërë dokumentesh të cilët kanë si synim të vërtetojnë se i dënuari është shtetas shqiptar dhe se cilat janë masa e dënimit dhe procedimit për veprën penale të gjykuar.

Para transferimit verifikohet dëshira e të dënuarit për të vuajtur dënimin në vendin e tij dhe kjo mund të verifikohet nëpërmjet një konsulli apo zyrtari të shtetit am i cili takohet me të burgosurin.

Dosja për transferim verifikohet me qëllim sigurimin e faktit se personi nuk ka të tjera detyrime për drejtësinë e vendit ku është dënua dhe nuk është në procedim penal për ndonjë vepër tjetër penale.

Para se të kryhet transferimi bëhet konvertimi i dënimit që jepet për këtë vepër sipas kodit penal shqiptar në rastet e transferimit nuk rëndohet masa e dënimit.

Shpenzimet e procedurës duhet ti mbuloj shteti shqiptar. Mbi 2000 shtetas vuajnë tashmë në burgjet e Greqisë, ndërsa në Itali të dënuar shqiptarë rezultojnë mbi 2800 persona.

Deri më tani është realizuar transferimi i disa shtetasve shqiptarë të burgosur nëpërmjet Greqisë. Për t’ju krijuar mundësinë shtetasve shqiptarë të vuajnë dënimin në vendin e tyre shumë shpejt pritet të funksionojnë edhe burgu i Peqinit i cili është ndërtuar sipas parametrave ndërkombëtarë të sigurisë dhe kushteve të burgimit./tvklan.al