Dita e zgjedhjeve në SHBA po afrohet dhe amerikanët duhet të bëjnë zgjedhjen e tyre.
Pasiguria e rezultateve të zgjedhjeve po i bën shumë qytetarë amerikanë të ndihen të stresuar. Një sondazh i ri i Shoqatës Psikologjike Amerikane zbuloi se 65% e amerikanëve ndiheshin gjithmonë ose shpesh të rraskapitur nga politika dhe 55% gjithmonë ose shpesh të zemëruar.
Mbulimi në kohë reale i zhvillimeve të politikës nga mediat, spotet elektorale të kombinuara me emaile të vazhdueshme dhe mesazhe me tekst nga ekipet e fushatës së secilit kandidat janë shenja se zgjedhjet janë afër. Laura Goldstein, psikologe shpjegon për agjencinë e lajmeve Reuters se cfarë perjetojnë shumë votues.
“Emocionet para zgjedhjeve janë reale dhe kudo dhe ne të gjithë po i përjetojmë ato. Dhe nëse ju po i përjetoni dhe kanë ndikuar në shëndetin tuaj mendor dhe mirëqenien tuaj dijeni se nuk jeni vetëm.”
Goldstein thotë për Reuters se tema e ankthit zgjedhor është ngritur gjithnjë e më shumë gjatë seancave me klientët e saj.
Kerry Jarvi, një këshilltar i licencuar i shëndetit mendor që punon së bashku me Goldstein në Rockville, Maryland këshillon që njerëzit që vuajnë nga ankthi para zgjedhjeve duhet të kërkojnë aktivitete që i shkëpusin ata nga lajmet, mediat sociale dhe faktorë të tjerë stresues.
“Cilat janë gjërat që të bëjnë të ndihesh vetvetja? Ne në terapi i quajmë këtë ushtrime për tokëzimin ose ushtrime tokësore, pra gjëra që nuk kanë lidhje me lajmet apo median, por të bëjnë të ndihesh më i kompletuar. Pra nëse kjo ka të bëjë me kohën e shpenzuar jashtë në natyre, nëse ka të bëjë me gjëra krijuese si psh të merresh me pikturë ose pse jo edhe të gatuash, të kalosh kohë me njerëzit që ju interesojnë dhe komunitetin tuaj, këto janë mënyra të ndryshme që mund të ndihmojnë në largimin e stresit.”
Një grup vullnetarësh po e ndjek këshillën e Jarvit. Ata udhëtojnë një herë në muaj në malet Shenandoah në Virxhinia për të pastruar dhe ruajtur pjesë të shtegut Appalachian.
Anëtarët e grupit shijojnë aktivitetin fizik dhe peisazhin e bukur në male. Teksa amerikanë hynë në ditët e fundit para zgjedhjeve në SHBA, disa anëtarë të grupit vullnetar thonë se u pëlqen të jenë në natyrë, larg zhurmës së madhe mediatike dhe grindjeve politike të dy kandidatëve Donald Trump dhe Kamala Harris.
“Ky është një pushim i mirëpritur nga shumë gjëra në jetën time të përditshme. Për sa i përket zgjedhjeve, askush nuk flet për zgjedhjet. Unë e di që njerëzit janë ideologjikisht të ndryshëm, kanë mendime të ndryshme nga unë, por ne qëndrojmë të papërfshirë. Ne jemi të gjithë këtu për të punuar në shteg”.
Kësaj vajze të re i është bashkuar edhe nëna e saj. 79-vjeçarja është gjithashtu pjesë e grupit vullnetar dhe shprehet e lumtur për mundësinë që ka për të dalë në natyrë dhe të qënurit larg politikës.
“Ne dëgjojmë të njëjtën gjë pa pushim, dhe pa përmendur emra, dy kandidatë të ndryshëm që kanë pikëpamje të ndryshme për jetën dhe kjo na ka lodhur. Ky është një moment i mirë për të dalë në natyrë.”
Në Los Anxhelos, Jeff Schelt merret me sportin e sërfit për t’u çliruar nga stresi i zgjedhjeve.
“Dëgjoni kaq shumë dhe të dyja palët janë të përfshirë në fushatë pa ndalim, sikur është fundi i demokracisë dhe bota do të bëhet katrahurë. Po, ka shumë negativitet. Dhe më pas e dëgjoni këtë pak edhe përmes miqve dhe familjes. Kështu që, përpiqem ta harroj, por është e pashmangshme.”
Krahasuar me dy zgjedhjet e mëparshme presidenciale në SHBA, nivelet e stresit në këtë anketë janë të ngjashme me zgjedhjet e vitit 2020, por dukshëm më të larta se në 2016.
Klan News