Fitoren e Donald Trumpi e përshëndetën miq e kundërshtarë të tij politik mes vendeve aleate të Shteteve të Bashkuara.
Ndër të parët që e uruan ishin liderët e të djathtës nacionaliste europiane. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se me Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë ishte koha për fuqizimin akoma më shumë të lidhjeve strategjike mes Italisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Kryeministri hungarez Viktor Orban, ndër të paktët liderë europianë që ruajnë marrëdhënie të mira me Vladimir Putinin e Rusisë tha në një videomesazh se fitorja e Trump i duhej aq shumë botës në këtë moment. Fitoren e Trumpi e përshëndeti edhe politikani nacionalist holandez Gert Vilders.
Ndërsa nga kundërshtarët politikë të tij, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen shkroi në rrjetet sociale se e përshëndeste me ngrohtësi fitoren e Trumpit dhe se SHBA e BE janë më shumë se aleatë.
Mesazhe përshëndetëse përcollën edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, kancelari gjerman Olaf Scholz e kryeminsitri britanik Keir Starmer.
Moska tha se shpresonte që fitorja e Trumpit të përmirësonte marrëdhëniet me Uashingtonin që janë në një pikë të ulët. Ndërsa për Teheranin dhe Pekinin nuk ka shumë vend për optimizëm.
Tv Klan