Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me prokurorinë italiane të Brescia-s dhe agjenci të huaja ligjzbatuese, kanë zhvilluar një operacion ndërkombëtar kundër trafikut të drogës.

Lajmi bëhet i ditur nga gazetarja e Klan News, Glidona Daci, e cila duke cituar burime thotë se autoritetet kanë firmosur disa urdhërarreste. Operacioni është zhvilluar mbrëmjen e djeshme dhe paraditen e sotme në zonën e Manzës. Po ashtu janë kontrolluar me vendim gjykate edhe disa banesa. Sipas gazetares, pritet që SPAK të japë më shumë detaje më anë të një njoftimi zyrtar.

Ndërkohë, mediat italiane shkruajnë se në total janë lëshuar 61 urdhërarreste dhe se operacioni është shtrirë mes Shqipërisë, Italisë, Zvicrës dhe Polonisë.

Sipas ANSA-s, përgjatë hetimeve janë sekuestruar 360 kilogramë kokainë dhe pasuri me vlerë mbi 60 milionë euro, që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal. Grupi kriminal me bazë në Shqipëri dhe me lidhje në Itali, akuzohet se ka importuar drogë nga Amerika e Jugut drejt Europës.

Përveç trafikut ndërkombëtar të drogës, vijon ANSA, grupi në fjalë akuzohet po ashtu për pastrim parash nëpërmjet një sistemi të faturave fiktive./tvklan.al