Këto pamje tregojnë momentin kur efektivët e Forcës Operacionale të Policisë shoqërojnë në ambientet e komisariatit të Shijakut, ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja. Siç shihet edhe në video, ai është i prangosur dhe shoqërohet në ambientet e brendshme të komisariatit, para se të dërgohej në Tiranë.
Komunikimet në aplikacionin Sky në kohën kur ishte deputet, i treguan SPAK se Jurgis Çyrbja ishte përfshirë në korrupsion zgjedhor dhe ndihmoi personazhe të botës së krimit në Durrës. Ndaj ish-deputetit rëndojnë akuza e korrupsionit, nxjerrjes së sekreteve shtetërore dhe përkrahje të autorit të krimit, ndërkohë bashkë me të, të akuzuar janë edhe shtetasi Ahmet Masha dhe Altin Hajri, ky i fundit një i shumëkërkuar. Në komunikimin zyrtar, SPAK thotë se Çyrbja ka dhënë informacione sekrete dhe ka dekonspiruar Policinë.
“Personi nën hetim Jurgis Çyrbja, është vënë në dijeni të disa planeve operacionale të Policisë së Shtetit, lidhur me kontrollet që do zhvilloheshin në zonën e Durrësit, me qëllim për të kapur personat e shpallur në kërkim dhe ky informacion rreth përmbajtjes së dokumenteve dhe akteve që sipas ligjit përbëjnë sekret shtetëror u është transmetuar personave të shpallur në kërkim.”
Nën hetim, sipas SPAK, janë edhe zyrtarë të tjerë të cilët e kanë ndihmuar ish-deputetin Çyrbja në nxjerrjen e sekreteve shtetërore.
“…ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se, funksionarë publik(të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit), në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në 7(shtatë) raste, kanë zbuluar akte të cilat ligji i përcakton si sekret shtetëror, pasi me përmbajtjen e tyre rezulton se është vënë në dijeni personi nën hetim J.Ç., duke konsumuar elementët e veprës penale ‘Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete’”.
Sipas SPAK, në përgjimet e Sky ECC rezulton se Cyrbja ishte vënë në dijeni të disa operacioneve të policisë për kontrolle që zhvilloheshin në zonën e Durrësit dhe u ka dhënë informacione grupeve kriminale. Po ashtu, duke mbështetur Altin Hajrin, një person në kërkim për rrëmbimin e Jan Prengës ka përfituar vota prej tij.
“Nga ana tjetër personi nën hetim Altin Hajri, në këmbim të këtyre favoreve të siguruara nga i hetuari Jurgis Çyrbja, i ofronte këtij të fundit që të votonte si dhe të siguronte votuesë në funksion të mbështetjes së tij si kandidat për deputet në Qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021”.
Ish-deputeti Cyrbja u arrestua së bashku me shtetasin Ahmet Masha, ndërsa Altin Hajri vijon të mbetet në kërkim ndërkombëtar prej vitit 2020.
Tv Klan