NATO tha të premten se do të rrisë praninë ushtarake në Detin Baltik, pas dyshimeve për dëmtim të qëllimshëm të linjës nënujore të interkonjeksionit dhe katër linjave të internetit nga një anije ruse.
Gjithashtu Estonia, një vend anëtar i aleancës njoftoi nisjen një operacioni detar për të mbrojtur një linjë paralele të energjisë elektrike.
Të enjten, Finlanda ndaloi një anije që po transportonte naftë ruse, nën dyshimet se dëmtoi kabllon nënujore të energjisë ‘Estlink 2’, që lidh Finlandën dhe Estoninë, si dhe linjat e fibrave optike. Helsinki tha se ka kërkuar mbështetjen e NATO-s.
“Kemi rënë dakord me Estoninë dhe e kemi njoftuar edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, se dëshira jonë është që të kemi një prani të shtuar të NATO-s”, tha Presidenti finlandez Alexander Stubb në një konferencë për shtyp.
Sekretari Rutte tha se ka diskutuar me presidenti Stubb dhe se ka shprehur mbështetjen e tij për hetimin e udhëhequr nga Finlanda.
“NATO do të rrisë praninë e saj ushtarake në Detin Baltik”, shkroi Rutte në platformën X.
Kremlini u shpreh i shqetësuar për ndalimin nga Finlanda të anijes që transportonte naftë. Në të kaluarën, Moska ka mohuar përfshirjen në ndonjë incident ndaj infrastrukturës në baltik.
Incidentet shfaqin nevojën për të përditësuar ligjin e vjetër detar, që specifikisht e bën të paligjshëm dëmtimin e infrastrukturës nënujore.
Shkëputja e linjës ‘Estlink 2’ me fuqi 658 megavat ndodhi pasditen e së mërkurës, duke e lënë në funksion vetëm linjën ‘Estlink 1’ me fuqi prej vetëm 358 megavatësh, që lidh Finlandën dhe Estoninë, tha operatori i rrjetit të energjisë elektrike të vendit.
Hetuesit finlandezë besojnë se anija e sekuestruar mund të ketë shkaktuar dëmin duke tërhequr spirancën e saj përgjatë shtratit të detit, një nga disa incidente të tilla në vitet e fundit.
Klan News