Pas autostradës Thumanë-Kashar, një tjetër vepër e rëndësishme infrastrukturore do të hapet për automjetet këtë javë.
Bëhet fjalë për tunelin e Llogarasë, të cilit po i jepet dora e fundit para se të inaugurohet të premten.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, shoqëruar edhe nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, teksa ndoqi nga afër përgatitjet tha se ky është një tjetër premtim i mbajtur.
“Unë e quaj një gur kilometrik, pasi bëhet fjalë për një tunel i cili është 5.9 kilometra i gjatë dhe është një nga veprat infrastrukturore të kategorisë së rëndësishme përsa i përket tuneleve edhe në rang Europe. Futet në tunelet e gjatësisë së madhe”, tha ajo.
Zëvendëskryeministrja tha se vënia në punë e kësaj vepre do t’i japë një tjetër hov zhvillimit të turizmit dhe do të afrojë edhe më shumë bregdetin e mrekullueshëm të jugut me Tiranën.
“Kur të ketë përfunduar gjithçka, Dhërmi-Tiranë do të jetë rreth 1 orë e 45 minuta”, tha ajo.
Balluku theksoi se kalimi i tunelit për këtë sezon turistik do jetë pa pagesë.
“Ky sezon është pa pagesë. Gjatë dimrit tuneli do të mbyllet duke na lënë mundësi që të punojmë në kantier për ta rihapur pastaj në sezonin tjetër”, tha ajo.
Krahas tunelit kryesor që do të ketë dy korsi, kompania po punon edhe për përfundimin e tunelit të emergjencës, i cili në të ardhmen mund të shërbejë edhe për automjetet.
Ndërkohë ARRSH në bashkëpunim me policinë rrugore kanë përgatitur edhe një plan të menaxhimit të trafikut për muajt në vijim, për të garantuar sigurinë në udhëtim.
Tv Klan