Donald Trump akuzon laburistët britanikë për ndërhyrje të jashtëligjshme nga jashtë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara. Shtabi elektoral i kandidatit republikan depozitoi një ankesë pranë Komisionit Federal të Zgjedhjeve, ku thuhet se partia e kryeministrit britanik Keir Starmer ka bërë një tjetër përpjekje të ulët mes një zinxhiri të gjatë ndërhyrjes anti-amerikane në zgjedhje.

Akuza lidhet me vullnetarët e shumtë që laburistët kanë dërguar në Shtetet e Bashkuara, për t’iu bashkangjitur shtabit elektoral të demokratëve.

Përplasja më e fundit nisi kur drejtuesja operacionale e Laburistëve Sofia Patel njoftoi në rrjetin social LinkedIn se rreth 100 pjesëtar të shtabit të kësaj partie ishin nisur për në SHBA për të ndihmuar në Karolinën e Veriut, Nevada, Pensilvani e Virxhinia. Të katër këto shtete janë mes 7 pikave të nxehta që pritet të përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve presidenciale të 5 Nëntorit, në të cilat sipas sondazheve ditët e fundit Trump po kalon në epërsi.

Kryeministri britanik Keir Starmer tha për BBC se laburistët kanë dërguar gjithmonë vullnetarë në Shtetet e Bashkuara dhe kjo nuk ishte hera e parë.

Tv Klan