I gjithë globi ka sytë nga Uashingtoni këtë të hënë, aty ku Donald Tramp do të betohet si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara. Tramp rikthehet në Shtëpinë e Bardhë pas një mandati ndërprereje të Presidencës së tij pasi humbi në fund të mandatit të parë përballë Xho Bajdenit, humbje të cilën ai nuk e njohu kurrë, por që gjithsesi duket se gjithçka është lënë pas.
Bajden nuk do të ndjekë shembullin e tij të para 4 viteve dhe do të jetë i pranishëm në ceremoninë e betimit. Axhenda parashikon që Tramp të betohet në mesditë me orën lokale të Uashingtonit. Aktivitetet ceremoniale pritet të nisin rreth 4 orë para.
Për të parën herë në historinë e vendit, në betimin e Presidentit amerikan do të ketë edhe liderë të huaj të pranishëm. Mes tyre është Kryeministrja italiane, Xhorxhia Meloni dhe Presidenti i Argjentinës Havier Milei.
Të ftuar janë kryesisht udhëheqës nacionalistë dhe liderë të së djathtës radikale, si Kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili për shkak të pjesëmarrjes në Samitin e Davosit, ashtu si shumë liderë të tjerë ndërkombëtarë nuk do të jetë pjesë e ceremonisë, por jo Kryeministra si laburisti britanik, Keir Starmer apo Kancelari gjerman Olaf Scholz. I ftuar është edhe Presidenti kinez Shi Xhinpin, por as ai nuk do të jetë i pranishëm.
Për të parën herë në 4 dekada, betimi do të kryhet në ambiente të brendshme, për shkak të një vale acari që do të pushtojë këtë të hënë Uashingtonin me temperatura që pritet të bien deri në -29 gradë Celsius. Mbi 200 mijë njerëz kanë blerë bileta për të parë nga afër në ambientet e përcaktuara, drejtpërdrejtë ceremoninë.
Uashingtoni është blinduar nga masa të ashpra sigurie. Një staf prej 25 mijë agjentësh garantojnë sigurinë, me ndihmë të veçantë edhe nga dronët, snajperët dhe rrethimet e shumëfishta me rrjeta teli dhe blloqe betoni.
Donald Tramp, 78-vjeç bëhet Presidenti më i moshuar në historinë e Shteteve të Bashkuara që bën betimin, duke ia marrë Bajdenit rekordin e 2021-shit me 5 muaj.
Tv Klan