Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, rezervoi një urim të veçantë sot, në 8 Mars, për të gjitha gratë dhe vajzat e kryeqytetit, duke u shprehur atyre mirënjohjen për sakrificën dhe përkushtimin për qytetin. 

“Sot apeli më i madh është për ne burrat dhe djemtë, që të tregohemi më zotërinj me to, të kuptojmë që pjesën më të madhe të sakrificës, por edhe të mundit, nga mbajtja e shtëpisë e deri te punët e qytetit, e marrin nënat dhe vajzat. Më vjen mirë që me një gjest të vogël simbolik transporti publik për to ishte falas sot. Është një gjest i vogël mirënjohjeje për sakrificën dhe kontributin që gratë dhe vajzat japin për suksesin e qytetit të Tiranës”,

deklaroi Veliaj, i cili së bashku me anëtaret femra të Këshillit Bashkiak, drejtueset e njësive administrative, si dhe shumë prej drejtueseve të organizatave të shoqërisë civile që operojnë në qytetin e Tiranës, mbolli 500 pemë në një hapesirë të re të Parkut të Liqenit, e cila do të quhet “Shtegu i Nënave”.

“Jam shumë i lumtur që bashkë me zonjat fantastike të Këshillit Bashkiak, zonjat tona administratore dhe shumë zonja aktiviste në qytetin e Tiranës, mbollëm pemë në këtë shteg, që për shumë njerëz është akoma sekret. Bëhet fjalë për një kantier që kemi hapur në pjesën jugore të Liqenit dhe një territor që u lirua nga ndërtimet pa leje, nga ferrat, nga gjithë zaptimet që ka pasur dhe sot me të drejtë, do të jetë Shtegu i Nënave dhe i zonjave të qytetit të Tiranës”

, u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi se Tirana është në krye të emancipimit dhe të përfaqësimit në jetën publike sa i takon femrës.

“Ca gjëra janë më mirë se ç’kanë qenë kur flasim për barazi gjinore, megjithatë kemi ende disa gjëra që duhen rregulluar. Ende duhet të luftojmë për paga të barabarta për të njëjtën punë, si për burrat, si për gratë. Ende duhet të luftojmë për më shumë pjesëmarrje. Fakti që Tirana është një histori suksesi nuk do të thotë që e gjithë Shqipëria dhe të gjitha bashkitë aplikojnë të njëjtat kuota dhe të njëjtin angazhim. Ndaj, më vjen mirë që sot si Tiranë jemi të parët në emancipim, por unë prapë besoj që më e mira është përpara”

, theksoi kryebashkiaku.

Ai shprehu bindjen se edhe në zgjedhjet e ardhshme këshilli bashkiak do të jetë i dominuar nga gratë dhe vajzat.

“Edhe në zgjedhjet e ardhshme jo vetëm që do t’i qëndrojmë angazhimit tonë për të pasur një këshill bashkiak të dominuar nga gratë dhe vajzat, por do donim që kjo frymë e Tiranës të vazhdojë edhe në qytetet e tjera”

, tha Veliaj.

Teksa i falenderoi për sakrificën dhe kontributin e dhënë për qytetin, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se Tirana, jo vetëm që  ka një shumicë të zonjave në Këshillin Bashkiak, por 70 % e menaxhimit të qytetit realizohet nga gratë dhe vajzat.

“Më vjen mirë që bashkë me koleget, Tirana është një qytet i zonjave. Jo vetëm kemi një shumicë të zonjave në Këshillin Bashkiak, ashtu siç kemi një barazi totale në qeverinë qendrore, por 70% e menaxhimit të qytetit ndodh nga menaxheret që janë gra dhe vajza të Tiranës. Kështu që, ajo shprehja ‘pas çdo burri etj. etj. qëndron një grua’ është kot sepse në fakt e vërteta është që pas çdo qyteti që funksionon, qëndrojnë një pafundësi grash edhe zonjash të afta dhe që e çojnë përpara punën e qytetit

”, tha Veliaj. 

Nënkryetarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Vjollca Braho, vlerësoi nismën e ndërmarrë për të mbjellë në këtë 8 Mars pemë të reja, duke i dhënë akoma edhe më shumë jetë qytetit.

“Ashtu sikurse gratë i japin jetë jetës, me mbjelljen e pemëve i dhamë jetë akoma edhe më shumë qytetit të Tiranës, i cili është duke u lulëzuar nga dita në ditë. Ku ka më bukur se sot në datën 8 mars bëjmë një mbjellje të këtyre pemëve kaq fantastike që do ta zbukurojnë e do t’i japin akoma më shumë oksigjen qytetit të Tiranës”

, nënvizoi Vjollca Braho.

Gjithashtu, këtë 8 mars, nismës së Bashkisë së Tiranës për të mbjellë pemë iu bashkuan edhe një grup i nënave me fëmijë autikë  të cilat në afërsi të Amfiteatrit mbollën pemë në emër të sakrificës së tyre si nëna.

/tvklan.al