Myrto Uzuni nuk njeh limite në këtë sezon. Sulmuesi shqiptar shkëlqeu në fitoren 4-1 që Granada mori ndaj Kartahenës në shtëpi. Tre gola për 29 vjeçarin, i cili vulosi një performancë fenomenale në fushën e lojës.
Uzuni e futi topin në rrjetë në të gjitha mënyrat, për të qënë gjithnjë e më vendimtar për skuadrën në rrugën drejt ngjitjes në elitën e futbollit spanjoll.
Beratasi shënoi 3 herë, konkretisht në minutat 14-t, 27 dhe 73 me ekipin që e gjeti veten në disavantazh pas 12 mintuash lojë.
Në përfundim të takimit, Uzuni tregoi emocionet e kësaj performance, që lumturoi tifozët e Granadës.
“E nisëm ndeshjen keq! Në fillim humbëm shumë topa! Pësuam një gol për shkak të gabimeve tona dhe na u desh që ta korrigjonim këtë! Jam shumë i lumtur që shënova, për trigolëshin, për fitoren e ekipit! Sigurisht që kur shënoj më shumë se një gol, kënaqem shumë! Ne po japim gjithçka në fushë për të gëzuar tifozët që lënë punët e tyre për të na ndjekur e mbështetur! Ajo që ka më shumë rëndësi për mua, është që t’i lumturoj ata!”, tha Myrto Uzuni.
Granada shkon në kuotën e 32 pikëve në vendin e katërt pas 20 javësh në la Liga 2. Sulmuesi kuqezi është i pari në renditjen e golashënuesve më të mirë në kampionat. Uzuni ka shënuar deri më tani 14 herë në 17 takime, ndërsa ka dhënë edhe 1 asist.
Klan News