“Është koha që të mos pengojmë zhvillimin e Tiranës”
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka marrë pjesë në përurimin e rrugës së re në Komunën e Parisit që lidh rrethrrotullimin me Rr. “Robert Shvarc”. Sipas Veliajt është koha që të mos pengojmë zhvillimin e Tiranës për bindjet politike.
“Për ne është privilegj që jemi në krye të këtyre punëve dhe pavarësisht bindjeve politike që kemi, kjo është një rrugë për të majtë e për të djathtë. Në këtë rrugë e korsi biçikletash do të ecin si të majtët, edhe të djathtët; të gjithë, pa dallim, do të hedhin mbeturinat dhe do të ndriçohen me ndriçim led. Ka ardhur koha që qyteti të fitojë pjekurinë për të mos bllokuar projektet sipas bindjeve politike apo për axhenda të ndryshme, që përdorin mish për top këdo që mund të jetë hallexhi për momentin, që ka zaptuar rrugën, por jo më kur është shpronësuar dhe kur janë dhënë paratë që të vazhdojë me strehimin e tij dhe të ardhmen e familjes së tij, pa bllokuar të ardhmen e qytetit”
Sipas kryebashkiakut, Tirana do të ecë përpara, ku do të hapen rrugë dhe do të ketë zhvillim.
“Segmentet kryesore si Unaza te Astiri apo Bulevardi i Ri kanë qenë në planet e Bashkisë së Tiranës që në vitin 89-të. Histeria e tipit hajde më filmo se unë do të hidhem pasi kam marrë paratë e një prone të ndërtuar ilegalisht, që s’ka paguar taksat 30 vjet, duhet të marrin fund. Ky është një moment për të kërkuar pak pjekuri dhe për të kërkuar ndjeshmëri nga ata që kërkojnë disa klikime më shumë ose disa “like” më shumë”
Deputeti i PS, Pandeli Majko vlerësoi vëmendjen e Bashkisë së Tiranës ndaj Njësisë 5 për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Tv Klan