Sapo është vetëdorëzuar një nga autorët kryesorë të dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi, Dorian Alia alias Agron Alia 32 vjeç , i cili po shoqërohet në këto momente në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Lajmin e ka bërë të ditur në një konferencë për mediat, Drejtori i Policisë Tiranë, Tonin Vocaj.
Autorët e dhunës ndaj avokatit janë Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia, ndërsa i identifikuari si Romario Tabaku ka ndihmuar autorët e dyshuar për t’i larguar nga vendngjarja. Si organizator, Policia e Tiranës dyshon të jetë Dritan Nano.
Policia e Tiranës në konferencën për mediat ka zbardhur shkakun e dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi. Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj bëri të ditur se avokati u godit për shkak të detyrës.
Kujtojmë se avokati Sokol Mëngjesi u godit mëngjesin e sotëm (29 Maj 2024) teksa dërgonte fëmijën në kopsht në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Ai ndodhet në Spitalin e Traumës në intubim. Sipas informacioneve, Mëngjesi ka pësuar fraktura në kokë./tvklan.al