“Dialogu dhe vëllazëria fetare, thelbësore për paqen”
Në vigjilje të Javës së Shenjtë të Pashkëve Katolike, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani zhvilloi një vizitë zyrtare në Vatikan ku u prit nga vetë Papa Françesku, një takim të pazakontë të tij me një Ministër të Jashtëm.
Në takimin e përzemërt, ku shoqërohej edhe nga Ambasadorja e Shqipërisë në Vatikan, zonja Majlinda Frangaj, Ministri Hasani e falenderoi Atin e Shenjtë për vëmendjen e veçantë të tij për shqiptarët.
Në emër të qeverisë dhe shtetit shqiptar, Ministri Hasani, vlerësoi përpjekjet e Atit të Shenjtë për shembullin që Shqipëria i jep botës për solidaritetin njerëzor dhe vëllazërinë fetare, e cila vazhdon të jetë një frymëzim dhe dritë udhërrëfyese për përpjekjen e vazhdueshme të vendit tonë për të qenë në anën e duhur të historisë.
Në takimin me Papa Françeskun u vlerësua harmonia fetare në Shqipëri si një model shumë i mirë për të gjithë rajonin dhe jo vetëm.
Hasani u takua edhe me Sekretarin e Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, Kryepeshkopin Paul Richard Gallagher.
Kryediplomati shqiptar theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Vatikanin shkojnë përtej marrëdhënieve institucionale, pasi ato janë shpirtërore dhe frymëzim për shqiptarët.
Dy ministrat diskutuan edhe për zhvillimet në rajon, duke u ndalur posaçërisht në nevojën e normalizimit të dialogut dhe stabilitetit, në funksion të integrimit evropian të vendeve të rajonit.
Hasani mori pjesë edhe në konferencën “Dialogu dhe Vëllazëria Fetare për Paqe”, organizuar nga Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Frangaj.
Ministri i Jashtëm tha se në një botë të karakterizuar nga konflikte, përvoja e Shqipërisë tregon se dialogu dhe vëllazëria fetare janë elementët thelbësorë për të garantuar paqen.
“Shqipëria është një dëshmi e gjallë e fuqisë transformuese të këtyre elementeve, ofron një shembull unik në këtë kontekst. Nëpërmjet përpjekjeve të tyre të përbashkëta, shqiptarët kanë treguar se uniteti në diversitet është jo vetëm i arritshëm, por thelbësor për ndërtimin e një shoqërie më paqësore dhe harmonike”, tha ministri Hasani.
Sipas kryediplomatit shqiptar, Shqipëria ka luajtur gjithashtu një rol konstruktiv në kontekstin ndërkombëtar, duke promovuar dialogun ndërfetar dhe paqen në nivel rajonal dhe global.
“Angazhimi i Shqipërisë ndaj dialogut dhe vëllazërisë fetare ofron shpresë për një të ardhme paqësore, të karakterizuar nga bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe respekti reciprok. Qasja e saj gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese mund të jetë një model frymëzues për shoqëritë e tjera që përballen me sfida të ngjashme, duke theksuar potencialin transformues të respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit ndërfetar në promovimin e paqes dhe stabilitetit”, u shpreh Hasani.
Vizita e Ministrit Hasani në Vatikan vjen në 10-vjetorin e vizitës apostolike të Papa Françeskut në Shqipëri dhe në 5-vjetorin e Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor dhe Bashkëjetesën ndërmjet njerëzve.
Tv Klan