Shpëtim për temperaturat e larta të kësaj vere nuk është vetëm bregdeti. Shumë qytetarë zgjedhin që temperaturave t’i shpëtojnë duke zgjedhur zonat malore.
Një prej tyre është Voskopoja në juglindje. Ky destinacion zgjidhet kryesisht nga vendasit të cilët zgjedhin të pushojnë mes freskisë së klimës alpine dhe gjelbërimit të pishave. Fshati turistik malor zgjidhet kryesisht nga vizitorët besnikë të cilët kalojnë verën këtu.
“Jemi shumë të kënaqur, është një ambient i mrekullueshëm. Kemi vënë re ndryshimet që kanë ndodhur në Voskopojë për gjithë këto vite që vijnë ne këtu,” tha një pushues vendas.
“Po vijmë shpesh këtu, na pëlqen. Është freskët. Kemi shëtitur dhe kemi bërë vizita, ajri është shumë i pastër,” tha një tjetër.
Trashëgimia e pasur kulturore dhe historike me kishat bizantine dhe manastiri shekullor e plotësojnë ofertën turistike të Voskopojës. Vendasit kanë shtuar interesin këtë vit duke i kthyer shtëpitë në bujtina e duke bërë që çmimet e akomodimit të mbeten të pandryshuara. Por këtë verë është rritur interesi edhe nga turistët e huaj për Voskopojën. Ata vijnë nga shtete të ndryshme.
“Vijnë edhe të huaj, gjermanë, polakë, italianë, por vijnë me guida. Kurse vendasit vijnë në fundjavë dhe ikin, tani vijnë për të pushuar nga dy ose nga tre javë. Vijnë nga Tirana, Durrësi, Elbasani,” tha një banues në Voskopojë.
Vizitorët e huaj nuk largohen pa marrë ndonjë objekt të veçantë
“Kanë interes shumë sidomos për këto punimet e dorës që ne bëjmë këtu, ju pëlqejnë shumë punimet e dorës, çantat, kuvertat që i punojmë me grep. Shumë bukur iu interesojnë,” tha një banuese.
Voskopoja ndodhet vetëm 19 km larg nga Korça dhe është një nga më të preferuarit në juglindje të vendit.
Klan News