Një 27 vjeçar ka mbetur i vrarë në një atentat pak pas mesnatës, në zonën e “Oxhakut” në Tiranë. Klaudio Prendi është qëlluar disa herë, pak çaste pasi u nda nga shokët.

27-vjeçari Prendi po qëndronte në ambientet e këtij lokali në shoqërinë e disa miqve të tij. Rreth 30 minuta pas mesnate ai u largua nga biznesi dhe erdhi pranë këtij vendi ku kishte të parkuar makinën. Në këtë moment është qëlluar disa herë me një pistoletë me selinciator.

Zona ku u vra Klaudio Prendi.
Zona ku u vra Klaudio Prendi.

Plumbat e kanë kapur në kokë dhe në kraharor. Autorët lëviznin me një makinë “Audi” dhe erdhën nga zona e Freskut. Pasi kryen atentatin u larguan me shpejtësi drejt qendrës. Shokët kanë dalë me vrap nga lokali dhe morën Prendin dhe u nisën drejt spitalit me makinën e tij “G Clas”.

30 minuta pas ngjarjes, rreth orës 1:00 të mëngjesit, u raportua në polici për djegien e një mjeti në zonën e Farkës. Nga këqyrja rezulton se autorët i kishin vendosur mjetit “Audi A4”, targa greke të cilat po i shihni në këto pamje. Ndryshe nga krimet e tjera, brenda tij nuk u gjet arma që u përdor në atentat.

 Ende nuk është këqyrur numri i shasisë pasi është dëmtuar nga djegia. Agjentët e policisë kriminale po përpiqen të përftojnë te dhëna për të mësuar pronarin e mjetit, nëse rezulton apo jo i vjedhur.

Mjeti i Klaudio Prendit u dërgua në drejtorinë e policisë së Tiranës ku iu nënshtrua ekspertizës nga hetuesit.

27-vjeçari kishte pak kohë që ishte kthyer në Shqipëri. Klan News mëson se kohët e fundit ai ka pasur disa konflikte, të cilat po hetohen nga policia.

Klaudio Prendi është djali i Fran Prendit, ish-gjyqtar i Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ai ka shërbyer për pak kohë edhe në Gjykatën e Posaçme dhe në vitin 2020 është larguar për tu marrë me aktivitet privat.

Klan News