Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Presidentit Joe Biden që të marrë pjesë në një Samit të Paqes që do të mbahet në mes të muajit Qershor në Zvicër. Gjatë fjalës së tij, Zelensky tha se mungesa e mundshme e aleatit të tij kryesor do të duartrokitej vetëm nga Putini.
Sipas asaj që shkruan prestigjiozja BBC News, ka dyshime se Presidenti Biden dhe Zv/Presidentja Kamala Harris nuk do të jenë pjesë e këtij samiti. Raportimet për një mosprani të Presidentit Biden janë një goditje e madhe për Ukrainën.
Teksa trupat ruse bëjnë përparime javët e fundit, presidenti Zelensky ka nevojë dëshpërimisht për një ngjarje të madhe për të treguar se bota është ende në anën e Ukrainës. Uashingtoni thotë se e mbështet takimin, por nuk ka premtuar ende të dërgojë një delegacion të nivelit të lartë.
Ndërkohë, samiti që është planifikuar prej muajsh, do të mbahet në hotelin luksoz me pesë yje në Bürgenstock, mbi liqenin e bukur të Lucernit. Kjo ndodhi pasi Zelensky i sugjeroi ish-presidentit zviceran Alain Berset se Zvicra neutrale duhet të organizojë një ngjarje të tillë.
Qeveria zvicerane ka ftuar më shumë se 160 vende dhe thotë se qëllimi i samitit është “të sigurojë një forum ku liderët botërorë diskutojnë mundësitë drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së”.
Por nga ana tjetër, ka pengesa që duket se do të ndërpresin suksesin e këtij samiti, ndër to edhe fakti që Rusia që nisi luftën nuk do të jetë atje. Zvicra thotë se Moska nuk ishte e ftuar, ndërsa Kremlini deklaron se nuk do të kishte marrë pjesë gjithsesi./tvklan.al