Lajme Arkiva 2003

Shqiptarët nuk shqetësohen për sigurimin e jetës së tyre. Në tregun e sigurimeve, sigurimi i jetës zë vetëm 7.5 % ndërkohë që në këtë treg ende të pa balancuar vetëm sigurimet e detyruara siç është sigurimi i makinave paguhet në masën 70% në totalin që zënë sigurimet e detyruara.

Këto të dhëna janë publikuar gjatë konferencës rajonale me temë “Stabilizimi dhe rritja e tregut të sigurimeve”, prioritet i programit të qeverisë, organizuar nga komisioni i mbikëqyrjes së sigurimeve, shoqata shqiptare e sigurimeve në bashkëpunim me shoqatën e sigurimeve të Kosovës.

Sipas kryetarit të komisionit mbikëqyrës të sigurimeve Qirjako Theodhori të ardhurat e sigurimeve në Shqipëri zënë vetëm 0.58% të të ardhurave në ekonominë shqiptare, ose 27.1 milionë Dollarë, duke qenë kështu 4 herë më të ulëta se ato në vendet e tjera me të njëjtin standard zhvillimi.

Qirjako Theodhori: Të gjitha shoqëritë e sigurimit janë me kapital tërësisht shqiptar dhe futja e kapitalit të huaj në këtë fushë ka mbetur vetëm një tentativë. Tregu i sigurimeve numëron rreth 1100 të punësuar, duke përfshirë edhe agjentë të shoqërive të licencuar që kapën një shifër të konsiderueshme prej rreth 450 personash. Tregu i sigurimeve po ecën me ritme të shpejta drejt liberalizimit të plotë. Tregu shqiptar i sigurimeve është ende një treg modest. Zëri i këtij tregu në makroekonominë shqiptare është ende i dobët.

Sipas Ministrit të Financave Kastriot Islami, kompanitë e sigurimeve duhet të krijojnë sigurinë e opinionit duke zhvilluar një konkurrencë të ndershme në treg.

Kastriot Islami: Mendoj se të qenët afatgjatë në këtë treg kërkon angazhim, seriozitet, disiplinim dhe kjo do të ishte shumë më rentabël se sa një fitim afatshkurtër ndërkohë që e kundërta do të ishte e rrezikshme së paku për ata që mendojnë të jenë afatgjatë. Kompanitë private të sigurimeve zotërojnë rreth 63% të tregut në vend.

Në Shqipëri veprojnë 5 kompani sigurimesh, Atlantik, SIGMA, SIGAL, INTERSIG si dhe kompania shtetërore INSIG, e cila ka hyrë në fazën përfundimtare të transferimit të aksioneve te dy institucionet financiare ndërkombëtare IFC dhe BERSH./tvklan.al