Të paktën 29 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu një klub nate në një ndërtesë 16-katëshe në lagjen Beshiktash në Stamboll. Nga zjarri mbetën të plagosur edhe disa persona të tjerë, njëri prej të cilëve raportohet gjithashtu se është në gjendje të rëndë për jetën.
Flakët ranë fillimisht në katet e nëndheshme ku gjendej lokali i natës dhe më pas u përhapën edhe në katet e para të ndërtesës së banimit, para se të ndërhynin zjarrfikësit të cilët bënë të mundur shuarjen e zjarrit.
Mediat në Turqi raportojnë se zjarri shpërtheu gjatë punimeve për rikonstruksionin e këtij klubi nate. Por kryetari i sapozgjedhur i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu tha se nuk ka patur asnjë kërkesë për rikonstruksionin e këtij lokali, duke lënë të kuptohet se punimet po kryheshin pa leje.
Ndërkohë, policia arrestoi pesë persona, përfshi edhe menaxherin e lokalit, të cilët do të merren në pyetje për zbardhjen e shkaqeve të kësaj tragjedie.
Tv Klan