Hollywood, kryeqendra e kinematografisë amerikane, duket se ka shpëtuar nga rreziku i përpirjes nga flakët. Vatra që shpërtheu të Mërkurën në kodrat e qytetit është vënë nëm kontroll dhe urdhri i evakuimit për banorët është tërhequr.
E vështirë vijon të mbetet situata në 5 vatrat e tjera veçanërisht në atë të lagjeve Palisades dhe Eaton, dy më të mëdhatë.
Bilanci i viktimave mbetet 5, por autoritetet thonë se shumë zona janë jashtë kontrollit për shkak të nivelit të lartë të shkatërrimeve dhe bllokimit të hyrjeve nga flakët. Nuk përjashtohet mundësia që bilanci të rëndohet në orët në vijim.
Numri i personave që u evakuuan tejkaloi 179 mijë në veri të Los Angeles. Hapësira e shkrumbuar është zgjeruar në mbi 117 kilometra katrorë. Një pjesë e mirë më shumë se 1 mijë ndërtesave të djegura janë vila luksoze të njerëzve të famshëm të kinemasë, modës e artit, ndër të cilat e ajo e Paris Hiltonit në Malibu.
Kaosi i krijuar nga flakët po shfrytëzohet edhe nga banditët, të cilët kanë nisur të grabisin banesat luksoze të braktisura nga pronarët me urdhër evakuimi. Deri më tani janë arrestuar mbi 20 persona.
Nuk mbahet mend që në historinë e Kalifornisë, zjarret të kenë shkaktuar shkatërrime të këtyre përmasave. Kryetarja e Bashkisë së Los Angeles tha në një konferencë për shtyp se erërat me fuqi të pazakontë dhe thatësira e niveleve rekord sollën këtë tragjedi, pasoja të ngrohjes globale.
Tv Klan