Administrata e Presidentit Donald Trump shkarkoi mbi 12 avokatë të Departamentit të Drejtësisë, të cilët ngritën dy çështje penale kundër tij.
Prokurori i Përgjithshëm në detyrë James McHenry, një i emëruar i Trump përmendi fuqinë e tij si shef ekzekutiv sipas Kushtetutës së SHBA, për të justifikuar shkarkimet.
Avokatët punuan me Këshilltarin e Posaçëm, Jack Smith, i cili udhëhoqi dy çështjet penale kundër Trump.
“Për shkak të veprimtarisë së tyre, prokurori i përgjithshëm në detyrë nuk beson se këta zyrtarë do të veprojnë për të zbatuar me besnikëri axhendën e presidentit. Kjo masë është në përputhje me misionin për t’i dhënë fund përdorimit politik të qeverisë”. thuhet në një deklaratë të qarkulluar nga një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë.
Vetë Smith dha dorëheqjen nga Departamenti i Drejtësisë më herët këtë muaj, pasi paraqiti një raport voluminoz për dy dosjet hetimore ndaj Trump, për përpjekjet e tij për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020 dhe për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij Mar-a-Lago, në Florida.
Lëvizjet janë të fundit në qasjen e ashpër të administratës ndaj Departamentit të Drejtësisë që kur Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Trump ka akuzuar për vite me radhë Departamentin e Drejtësisë se hetimet e ngritura ndaj tij dhe mbështetësve kanë qenë të motivuara politikisht.
Klan News