Bojkotimi i zgjedhjeve të pjesshme të 15 Nëntorit nga Partia Socialiste, do të hidhte poshtë të gjitha pretendimet e kryesocialistit Rama për manipulim të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare.

I këtij mendimi është deputeti socialist, Andis Harasani, anëtar i kryesisë së kësaj partie.

Për Harasanin, këto zgjedhje do të ishin mundësia më e mirë për Partinë Socialiste për të faktuar se votat tyre  janë vjedhur në 28 Qershor.

Andis Harasani: “Në mbledhjen e kryesisë personalisht do kërkoj që PS-ja të marri pjesë në këtë zgjedhje pasi është mundësia më e mirë, mundësia më e artë për PS-në për të vërtetuar të gjitha këto akuza që ne i kemi ngritur kësaj qeverie, këtij koalicioni të brishtë. Ne kemi mundësinë në datë 15 nëntor të fitojmë bindshëm dhe komisionerët tanë së bashku me të gjithë deputetët, në 5 zona i bie të jenë rreth 15-17 deputetë në çdo zonë për të vërtetuar të gjithë manipulimet që mund të ketë ndërmend të bëjë qeveria ose për të fituar thellë.”

Harasani shprehet në mënyrë kategorike kundër bojkotit të këtyre zgjedhjeve. Por nga ana tjetër hedh poshtë mundësinë që vendimi i Ramës për bojkot të jetë pasojë e frikës së një humbje të thellë.

Andis Harasani: “Nuk besoj të ketë frikë kryetari Rama, kryetari Rama e njeh PS-në po aq mirë sa të gjithë ne. Kryetari Rama e ka të qartë që PS-ja dhe në 96, kur u zhvilluan ato zgjedhjet që u zhvilluan në Shqipëri, ishte ajo vjedhje që ndodhi në Shqipëri. PS-ja arriti të vërtetojë të ketë një dosje për çdo qendër votimi me gjithë manipulimet që u bënë në qendrat e votimit. Të mendosh që 13 vjet më mbrapa kjo parti nuk i ka këto kapacitete mendoj që është e pa tolerueshme.”

Harasani mbështet nismën më të fundit të selisë rozë për mbledhjen e firmave të qytetarëve për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, por megjithatë ka i qëndruar idesë se socialistët duhet të kthehen në parlament./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka