Fillimi i vitit në Tiranë do të shënojë një nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën kulturore. Violinisti Shkëlzen Doli, ansambli i tij dhe muzikantë të Vienës, do të sjellin për herë të parë një koncert që për nga programi do të përmbajë disa nga kryeveprat e muzikës klasike, që luhen në të famshmin koncert të vitit të ri të Vienës.

Ideja për realizimin e tij, e lindur dy vite më parë, pas pjesëmarrjes së Shkëlzen Dolit në koncertin “Tre Tenorët” si i ftuar special, konkretizohet në nisje të vitit të ri.

Në një intervistë për Televizionin Klan, Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Johann Sattler, zbulon disa nga surprizat që do të përmbajë koncerti, e që do transmetohet drejtpërdrejt në ekranin e Televizionit Klan, në mbrëmjen e dy Janarit.

“Ju lutem të më mirekuptoni, por nuk mund ta zbuloj të gjithë programin. Sigurisht e kam parë, kam biseduar edhe me Shkëlzenin. Ju siguroj që do të jetë mbreslënës. Do të luhen pjesë nga Joahnnes Brahms, Franz List dhe sigurisht pjesë muzikore të kompozuara nga familja Strauss të luajtura tradicionalisht në koncertin e Vitit të Ri të Vienës. Pra një sërë kryeveprash, ku përfshihen Danubi Blu e Marshi i Radeckit. Përvec kësaj do të luhen  edhe pjesë nga muzika shqiptare, si ajo arbëreshe. Ndërsa gjatë pushimit do të shfaqet një film, i cili prezanton bukuritë e tokës shqiptare, i realizuar së fundmi në Gjirokastër, Prizren, Itali, aty ku jetojnë arbëreshët etj”.

ambasadori-leda

Si e kanë pritur muzikantët e Vienës këtë koncert?

“Të gjithë muzikantët që do të vijnë dhe do të interpretojnë janë shumë të lumtur. Kam biseduar me disa prej tyre dhe janë vërtetë shumë kuriozë, pasi shumë prej tyre nuk e kanë vizituar asnjëherë Shqipërinë. Arsyeja e dytë është sepse vendi juaj ka një traditë në muzikë, art dhe ka shumë njerëz kreativ. Me kanë treguar, madje as unë vetë nuk e dija, se në kohën e komunizmit shumë njerëz e shihnin fshehurazi koncertin e Vitit të Ri të Vienës. Simbolika është e bukur, as diktatorët nuk mund të ndrydhin shpirtin e qënies njerëzore. Dhe kjo e bën edhe më të veçantë mbajtjen e këtij koncerti në Tiranë, për një publik që e njeh dhe e do”.

Do të ketë një herë të dytë, pse jo në krijimin e një tradite?

“Në radhë të parë më vjen shume keq, që për shkak të interesit shumë të lartë, biletat që dolën për shitje mbaruan shumë shpejt dhe shumë persona mbetën të zhgënjyer. Gjithsesi më vjen mirë, që koncerti do të transmetohet live. Nga ana tjetër nuk mund të them me siguri nëse do të ketë një herë të dytë. Fillimisht duhet të shohim si do të shkojë. Jam i sigurt që do të jetë një eksperiencë e bukur, për të nisur vitin e ri me një koncert të këtyre përmasave. Do të ishte e këndshme të krijonim një lloj tradite, çdo vit.

Ndoshta mund të realizohet një koncert në të tjera përmasa, pse jo një koncert i vitit të ri të Ballkanit.

Do të ishte një ide e mirë për vitin e ardhshëm, por fillimisht le të shohim si do të pritet koncerti në Tiran”.

Në mbyllje të një viti dhe në nisjen e të riut, mesazhi i përfaqësuesit të shtetit austriak në Tiranën zyrtare shkon për politikbërësit.

“Kam dy mesazhe. Në nivelin politik, mund të them edhe pse në rang ndërkombëtar 2016 ka shënuar një vit të vështirë, Shqipëria ka bërë një zhvillim pozitiv. Në Korrik, parlamenti votoi unanimisht Reformën në Drejtësi. Edha javën e fundit pamë një tjëtër zhvillim pozitiv, si nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, po implementohet ligji i Dekriminalizimit dhe kjo është një shenjë e mirë. Uroj të vazhdojë edhe më tej. Ajo që është vendosur në parlament, të zbatohet me shpejtësi vitin e ardhshëm, çka do të jetë një hap i mirë drejt përafrimit me Bashkimin Evropian”.

Gazetare: Enkelejda Mema