Rreth 16 mijë fluturime ka menaxhuar Albcontrol-i nga data 1 maj deri në 15 maj. Numri i lartë i fluturimeve tregon rritjen e turizmit në vendin tonë. Zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale bëri të ditur se në Rinas janë ulur gjatë kësaj periudhe 1493 avionë, 1495 janë ngritur ndërsa 13054 kanë qenë mbikalime në qiellin shqiptar. “Në total janë 16 042 fluturime”, theksoi Balluku.
Në 4 muaj e parë të këtij viti aeroporti i Rinasit regjistroi mbi 2.8 milionë pasagjerë. Viti 2023 u mbyll me një rekord të përpunimit të pasagjerëve, me mbi 7.2 milionë pasagjerë në Rinas. Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve e renditi Shqipërinë në vend të parë sa i takon fluksit ajror të pasagjerëve për muajin mars të këtij viti. Sipas klasifikimit më të fundit, vendi ynë e ka rritur me 233,3% trafikun e pasagjerëve krahasuar me vitin 2019.
Përsa i përket fluturimeve Shqipëria me Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” lë pas vende me traditë në turizëm si Kroacia, Franca, Greqia, Portugalia, Turqia etj.
Klan News