Kryedemokrati Sali Berisha ka dhënë një deklaratë për mediat ditën e sotme, ku ka thënë se ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj nuk është i penduari i drejtësisë, por i popullit shqiptar. Më tej, Berisha tha se sipas tij, Ahmetaj ka faktuar kontrollin e plotë total të kryeministrit Rama dhe drejtësisë së re.
DEKLARATA E SALI BERISHËS:
Mbrëmë opinioni shqiptar dhe ndërkombëtar u njoh me një dëshmi të jashtëzakonshme në llojin e saj, një dëshmi publike të numri 2 të qeverisë më të korruptuar të kontinentit, të qeverisë më të implikuar në krim dhe drogë në Europë dhe më gjerë.
Me dëshminë e tij publike para shqiptarëve, Arben Ahmetaj provoi 100% ato që PD ka faktuar me dokumente zyrtare të firmosura nga Edi Rama, Erion Veliaj, Engjëll Agaçi, etj., për vjedhjen e shekullit.
Arben Ahmetaj si zv/kryetar i Këshillit të Ministrave u tha shqiptarëve se krerët e vërtetë, realë të aferës së djegësit të Tiranës që shkon sipas tij mbi 700 mln Euro dhe vazhdon të gllabërojë taksat e shqiptarëve janë Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Në dëshminë e tij publike para shqiptarëve dhe opinionit ndërkombëtar, Arben Ahmetaj zhbëri dje me argumente të pakundërshtueshme Skrapin e Edi Ramës. Ai faktoi kontrollin e plotë total të Edi Rames mbi Skapin dhe drejtësinë e re.
Arben Ahmetaj dëshmoi se arrestimi, ndjekja, persekutimi i tij si një person që nuk ka asnjë firmë përveç katër kundërshtimeve kategorike ndaj kërkesave të Erion Veliaj, është bërë me urdhër të Edi Ramës dhe qëllimin e vetëm për të shmangur nga Dumani hetimin procedurës ligjore, sepse ajo të çon direkt tek Edi Rama, Engjëll Agaçi, Erion Veliaj.
Në këtë kontekst, Arben Ahmetaj është pa asnjë diskutim i përndjekuri i Edi Ramës dhe prokurorisë së tij që kontrollon, për të shpëtuar kokën e tij dhe të bandës përreth tij.
Arben Ahmetaj ju faktoi shqiptarëve se Altin Dumani nuk është gjë tjetër veçse Nuredini me kollare. Nëqoftëse Nuredini me para, zinte prita dhe vriste njerëz, Altini me kollaro, me porosi të Edi Ramës kërcënon si një bastard i hetimit të vjetër shqiptar, qytetarët me ndërrimin e akuzës në rast se pranon apo nuk pranon. Përdor korridoret si burracak për të mos u filmuar dhe regjistruar në kërcënimet e tij.
Arben Ahmetaj i bëri autopsinë regjimit të Edi Ramës, por dhe drejtësisë së re të kontrolluar plotësisht nga Edi Rama. Ai informoi se një prokurore Millonaj, sillet në zyrën e saj si një rrugaçe ordinere ndaj qytetarëve që merr në pyetje, duke kërcënuar me gjuhën e saj të një femre të ulët. Ky është një turp, kjo sillet si motër në krim e Taulant Ballës.
Arben Ahmetaj, të dashur miq, nuk është i penduar i drejtësisë sepse Skapi i partisë nuk mund të imagjinojë kurrë një gjë të tillë, por ai është i penduari i popullit shqiptar që pavarësisht nga kërcënimet me jetë të hanxharëve të krimit të Edi Ramës, po u thotë shqiptarëve dhe opinionit publik ndërkombëtar, të vërtetat e mëdha të hemoragjisë së tmerrshme financiare nga vjedhjet monstruoze të Edi Ramës dhe ministrave të tij.
Ai dëshmoi mbrëmë se vet ai, ministër Financash, nuk ka firmosur asnjë tender, madje se ai i ndaloi vetes me ligj tenderimet për rindërtimet pas tërmetit, për çka padyshim meriton vlerësim.
/tvklan.al