Sali Berisha u rikthye në studion e Opinion në Tv Klan, pas më shumë se 11 muajsh dhe zbuloi për herë të parë se do të dorëzonte mandatin e marrë në 2021 si deputet, menjëherë sapo të niste legjislatura e re, duke u tërhequr nga jeta aktive politike përfundimisht. Ai që e detyroi, Berisha thotë se ishte vendimi i Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar, pas shpalljes “non grata”.
“Po përgatitesha që për 4 muajt e ardhshëm të dorëzoja dhe mandatin e deputetit, sepse ka gjithmonë një kohë për vendime”.
Nuk është i sigurt, por shpresëplotë, se administrata Trump do të shqyrtojë kërkesën për heqjen e “non grata-s” nga administrata Biden.
“Shpresoj plotësisht që administrata e re amerikane do ta shqyrtojë këtë qëndrim”.
Pas këtij rikthimi të detyruar në krye të PD, Berisha thotë se do të jetë kandidati për kryeministër.
Blendi Fevziu: Ka zëra që thonë që Sali Berisha do hyjë në zgjedhje, por vetë nuk do pranojë të bëhet kryeministër. Pra nuk do ta zgjedhë postin e kryeministrit…
Sali Berisha: Shohin ëndrra me sy hapur.
Berisha siguron se aktualisht, e bija Argita Berisha, nuk ka ambicie për të marrë drejtimin e partisë, por nëse do të ndërrojë mendim, ajo do të futet në garë.
Blendi Fevziu: A mund të jetë ajo një drejtuese e mirë e PD?
Sali Berisha: Duhet provuar, nuk mund të them…
Hapi i parë nëse PD do të rikthehet në pushtet, Berisha premton se do të jetë ndërhyrja në Reformën në Drejtësi.
“Ndërhyrje e menjëhershme me Komisionin e Venecias”.
Ndryshe nga sa mendojnë qytetarët për SPAK-un, Berisha e akuzon atë si organizatë kriminale.
“SPAK-u për shkak të politizimit është sot një organizatë e vërtetë kriminale”.
Ndërsa vetë kreun e SPAK-ut, Altin Dumanin, si të korruptuar dhe siguron që do përballet me drejtësinë, kur demokratet do vijnë në pushtet.
“Është njeriu që fsheh krimin, ja kjo foto këtu është një Klejdi Meçe, banon aty ku banon familja Dumani. I ndershmi që thonë njerëzit. Ka 3 shtëpi dhe banon në një të 4. Po kjo foto, nuk është me Ramën, këtu është Klejdi me Altinin. Kjo është foto familjare, është në ditëlindjen e Altinit. Kjo ishte arsyeja nga më kryesoret që Altini nuk dërgonte për Erion Veliajn”.
Berisha bën një paralajmërin për çdo ambasador që do të përpiqet, sipas tij, të deformojë votën e emigrantëve.
“Garantoj çdo ambasadë dhe çdo ambasador që do përfshihet në këtë proces, do ndiqet për krim elektoral”
Tv Klan