Drejtuesi i panelit në Konferencën e Ambasadorëve, gazetari Blendi Fevziu u rikujtoi panelistëve vitet e para të karrierës së tij 33 vite më parë. Sipas tij, asokohe mendohej se integrimi i plotë në BE do të realizohej brenda 2-3 vitesh ndërsa tani ishte skeptik për afatet.
“Në ditët e 1991-it, unë dhe disa që i shoh këtu, kanë qenë bashkëudhëtarë të asaj kohe… Entuziazmi për atë që ishte ëndrra evropiane, për integrimin, për të ardhmen evropiane në Shqipëri ishte shumë i shpejtë. Të gjithë mendonim se ishte çështje muajsh, po të më thoshte dikush atëherë se mund të zgjaste ky integrimi 2,3 vjet do t’i hidhesha në grykë. Se do më dukej si një njeri që po më gënjente.”
Fevziu solli për audiencën edhe deklaratat e ish-kryeministrit italian Giulio Andreotti.
“Kur qëlloi që ta kisha Andreotti-n në studio, ishte viti 2002 mos gaboj, i thashë s’ka rëndësi, besoj që në 2014-ën me rastin e 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore ne do jemi në BE. Kështu na thuhej në atë kohë. Andreotti më pa dhe tha mbase. Po vjen 100-vjetori i Luftës së Dytë Botërore dhe Europa nuk po vjen akoma. Është shumë e çuditshme. Por për një gjë jam i bindur, sa unë të jem gjallë nuk do ta shoh dot Shqipërinë në BE.”
Pasi solli eksperiencën e tij nga vizitat në rreth 150 shtete të botës, Fevziu e mbylli me një pyetje ndaj zonjës Mogherini.
“Për të mos e zgjatur më, si aspirant i përjetshëm që mbetem edhe pse me një lloj zhgënjimi do të doja të pyesja zonjën Mogherini, pse s’na doni? “
Federica Mogherini: Ju duam, kjo është një mënyrë e të përgjigjurit shkurt. Por nëse pyetja është nëse BE dëshiron t’ju integrojë, përgjigjia ime sot është Po! Kjo besoj do të ndodhë kur ju të jeni gjallë.
Klan News