Operatorët turistikë në Divjakë po përgatiten për pritjen e një numri të madh turistësh gjatë sezonit veror.
Megjithëse në 5 muajt e parë të 2024 nuk kanë të ndalur vizitat nga gjermanët, holandezët spanjollët, anglezët dhe amerikanët, muajt në vijim pritet të 3-fishohet numri i turistëve.
Ky sezon pritet të jetë sfidë për çdo biznes që operon në Divjakë, ndaj për këtë qëllim ata kanë gjetur mënyra të reja për të argëtuar turistët. Guidat me makinat retro, kalërimit nëpër pyll, xhirot me varka, vështrimi i zogjve janë disa nga paketat turistike të përgatitura nga bizneset e zonës.
“Këtu nuk bëhet fjalë më për Tiranë, për Durrësin, Shkodrën, Vlorën ose Kosovën. Këtu bëhet fajlë për një dyndësi jashtëzakonisht të madh në parametër global ose botëror. Gjermanët pothuajse po futen në vend të parë, italianë, anglezë, francezë, amerikanë, holandezë, rumunë, polakë dhe çekë,” tha një operator turistik.
“Këtu vijnë sepse ka një hapësirë pafund, flora dhe fauna është shumë e pasur dhe ka një lirshmëri në lëvizje qoftë në bregdet qoftë në hapësirën e pyllit, qoftë rreth e qark lagunës ku vizitojnë pelikanin, specien më të rrallë apo mbretin e zonës edhe një sërë shpendësh të tjerë,” tha një tjetër.
“Qetësi, një ushqim të mirë edhe asnjë gjë tjetër. Edhe këtë natyrë kaq të mrekullueshme që na ka falur Zoti dhe asnjë gjë tjetër nuk kërkohet. Ka aktivitet për turistët më shumë nga çdo vit tjetër, dhe do të ketë 2-fishin e vjetshëm jam i sigurt për këtë,” tha një qytetar.
“Turizmi i Divjakës është patjetër ekoturizmi. Në radhë të parë primare është natyra më veçoritë e veta, me shpendët, me florën, me faunën,” tha një operator turistik tjetër.
Divjaka çeli zyrtarisht sezonin turistik nëpërmjet një feste të organizuar në Parkun Kombëtar të saj.
Veshje tradicionale, gatime të zonës, biznese turistike, u ekspozuan në sheshin përpara Kullës 360 grade. E veçanta e gatimeve është fakti që të gjitha janë bërë me produktet e prodhuar nga tokat e Divjakës.
Një koncert me valle popullore myzeqare dhe këngëtarja Era Rusi mbyllën programin e çeljes zyrtare të sezonit turistik 2024.
Klan News